A u qortua Osmani nga SHBA për tensionet në veri? Këshilltarja: Isha aty, kur foli me DASH-in

schedule20:37 - 27 Shtator, 2021

schedule 20:37 - 27 Shtator, 2021

Sot gjatë ditës u raportua nga Klan Kosova se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është qortuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për aksionin e Policisë së Kosovës në veri. Mirëpo këto lajme janë cilësuar si të pavërteta nga këshilltarja e Osmanit, Donjeta Miftari.

Siç është raportuar nga Klan Kosova, e cila u është referuar burimeve të saj ndërkombëtare, Presidentes Osmani, të shtunën, i është shprehur drejtpërdrejt pakënaqësia me mënyrën se si institucionet e Kosovës e kanë organizuar aksionin në veri, pasi sipas burimeve është rrezikuar siguria kombëtare.

Mirëpo Miftari thotë se Osmani ka kontaktuar sot me zyrtarë amerikanë, por i cilëson të pavërteta lajmet se Osmanit i është tërhequr vërejtja. Ajo thotë se ishte vetë e pranishme në telefonatën që pati Osmani me zyrtarët e DASH-it.

“Presidentja Osmani i diskutoi zhvillimet e fundit në veri të vendit me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, por në mënyrë të pasaktë është raportuar se gjatë kësaj telefonate Presidentja Osmani ishte paralajmëruar se vendimet e institucioneve kosovare e kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare të vendit. Unë isha e pranishme gjatë kësaj telefonate dhe e konfirmoj se kjo është e pasaktë”, shkruan Miftari në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të miratohet masa e reciprocitetit për targa me Serbinë. Pas kësaj forcat Speciale të Policisë janë vendosur në pikat kufitare në veri të Kosovës, ndërsa banorët e minoritetit serb kanë bllokuar rrugët me automjete. /Gazeta Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!