Edhe një muaj nga arratisja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski në Hungari ku ka fituar të drejtën e azilit politik, askush nga institucionet e Maqedonisë nuk ka marrë përgjegjësinë duke thënë se veprimet e tyre kanë qenë në përputhje të plotë më ligjet në fuqi.
Këshilli gjyqësor, si organ më i lartë i sistemit të drejtësisë pas një hetimi të punës së gjyqësorit ka dalë me konstatimin se “gjykatësi për zbatimin e sanksioneve i ka respektuar afatet ligjore dhe se e tërë procedura është zbatuar në përputhje me ligjin”.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se pavarësisht dhënies së azilit, nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ekstradimin e Gruevskit ndërsa kanë kërkuar ndërhyrjen edhe të Bashkimit Evropian që Hungaria të respektojë vlerat evropiane për përgjegjësi për personat që bëjnë shkelje ligjore që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar për çka edhe ish kryeministri ishte dënuar me 2 vjet burgim, ndërsa ndaj tij po udhëhiqen edhe të paktën katër procese gjyqësore për shpërdorim detyre.
Derisa institucionet janë në pritje të ndonjë epilogu për ekstradim, edhe pse Hungaria qartë ka bërë me dije se kjo nuk do të mund të ndodhë, Nikolla Gruevski nga ana tjetër vazhdon të shëtis lirshëm nëpër Budapest, gjë që dëshmohet me fotot dhe videot që janë paraqitur në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, në opinion vazhdojnë reagime me kërkesën për zbardhjen e rastit, por edhe të përgjegjësisë nga organet kompetente që nuk e kanë parandaluar një arratisje të tillë.
“Këtu nuk mund të mbeten pa faj institucionet e shtetit sepse ju kanë munguar vijat e kontrollit dhe llogaridhënia me kohë edhe për kryeministrin edhe për të tjerët. Është një situatë e dhimbshme, por edhe porosi për identitetin shtetëror dhe institucionet e konsoliduar që duhet t’i ketë një shtet. Çfarë porosie mund të përcillet kur një ish kryeministër kërkon azil në një shtet tjetër? Si ishte veprimtaria e ikjes, kush ishte i përfshirë në këtë? Pra hapen shumë dilema pasi kemi një situatë shumë të ndërlikuar për të cilën duhet të brengoset pozita”, thotë Nazmi Maliqi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Heshtja e institucioneve është kritikuar edhe nga Komiteti i Helsinkit duke kërkuar qartësimin e dilemave, por edhe dyshimeve në opinion se vallë pas arratisjes së Gruevskit qëndrojnë institucionet si pasojë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme.
“Mendoj se është e pakuptueshme se si qeveria edhe një muaj nga arratisja të mos del me informacione për atë se çfarë hetime janë duke u bërë, se si arriti të arratiset, pse nuk veprua me kohë, çfarë të dhënash kanë pasur shërbime e sigurisë e kështu me radhë. Këtyre dilemave duhet ti përgjigjen institucionet dhe të kërkohet përgjegjësi nëse konstatohen lëshime”, ka deklaruar Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski më 13 nëntor kishte njoftuar përmes rrjetit social Facebook, se ishte arratisur në Hungari, ndërsa pak ditë më vonë ai njoftoi se autoritet hungareze i kishin miratuar kërkesën për azil politik për shkak të siç ka thënë ndjekjes politike nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev. Në rrugën për në Hungari, Gruevski ka kaluar nëpër territoret e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. /REL