Nga Valbona Davidhi
Teksa zjarri në fushën e mbetjeve të Bashkisë Patos vazhdon që prej mesditës të së martës zyrtarët vendor kanë nisur bisedimet me përfaqësuesit e inceneratorit të ngritur në Fier. “Komunikuam me drejtuesit e inceneratorit për të kaluar mbetjet urbane për në incenerator presim dhe marrëveshje po duhet një marrëveshje me ministrinë dhe prefekturën se është në rang qarku”.
Sekretari i përgjithshëm i bashkisë së Patosit Shkëlqim Beqiraj nuk dha më shumë informacion se nga bisedimet me përfaqësuesit e “Integrated Technology” u diskutua apo jo tarifa e përpunimit të plehrave apo dhe sasia që marrin përsipër. Duket se dhe Bashkia e Patosit ndjek skenarin e Bashkisë së Fierit që kur fusha e mbetjeve një muaj më parë mori zjarr u kujtuan të bëjnë marrëveshje me koncesionarin “Integrated Technology”.
Tre fshatrat Zharrës, Sheqishte dhe Marinëz, që ndodhen shumë pranë fushës së mbetjeve gjatë gjithë natës janë mbuluar nga tymi që çlirohej nga djegia e plehrave, duke shkaktuar të banorët probleme me frymëmarrjen. Eksperti i mjedisit njëherësh dhe banor i zonës thotë se mbetjet s’mund të fiken me ujë.
“Gjithë natën zjarrfikësit kanë punuar por zjarri nuk është shuar. Banorët janë të shqetësuar prej tymit. Duhet një zgjidhje si për fushën e mbetjeve në Fier. Të hidhet dhe që të fiket” tha eksperti i mjedisit Qani Rredhi.
Pas ankesës së ambientalistit nisi dhe mbulim me dhe I mbetjeve disa vjeçare. Pasditen e së martës zjarri ra fillimisht në një sipërfaqe me ullinj e më pas u përhap në fushën e mbetjeve. Flakët pas disa orësh u vunë në kontroll por gjatë natës dhe ditës së sotme për shkak të erës u përhapën sërish./ Abcnews.al