Houstoni shpreson të kthehet tek suksesi i vitit të kaluar në basketbollin amerikan. Skuadra e shquar arriti një fitore të rëndësishme ndaj Portlandit, falë yllit kryesor, James Harden.
Nuk ka qenë aspak një sezon pozitiv. Kush do ta kishte menduar se Houston Rockets, nën udhëheqjen e kapitenit James Harden, do të vuante kaq shumë në arenat e basketbollit amerikan. Gjithsesi, i shëruar nga dëmtimet, Harden tregoi se di ta drejtojë ekipin për tek suksesi, 111-104 ndaj një kundërshtari të fortë si Portlandi.
I mbiquajturi “Mjekra” shënoi 29 pikë, por gjithashtu edhe 6 shokë të tij realizuan mbi 10 pikë secili, dhe ky ishte çelësi për suksesin. Mbështetja më e madhe për të ishte Kris Pol, me 11 pikë, 11 topa në tabela e 11 pasime për kosh, pra me një tripëll dabëll. Përballë yllit vendas, Damian Lilard luajti shumë mirë, por nuk ia doli.
Lideri i Portland-it shënoi plot 34 pikë, duke qenë më i miri në fushë, veçse pati fare pak ndihmë. Lojtarët e stolit të Houston-it shënuan gati tri herë më shumë pikë sesa rezervat e Portland-it. Gjithsesi, ky ishte thjesht një rast i veçuar në një sezon të vështirë, ku Harden shpesh herë është dukur i vetëm.
Skuadra nga Teksasi, finaliste e vjetshme e Konferencës Perëndimore, sot është tepër larg formës së edicionit të kaluar, madje ka më shumë humbje sesa fitore. Nuk dihet nëse një lojtar i madh si Hardeni do të dijë ta ndryshojë fatin e një skuadre që nuk ka aq lojtarë të mirë sa duhet./abcnews.al