Strasburg, vijojnë kërkimet për atentatorin e tregut të Krishtlindjes

schedule15:27 - 12 Dhjetor, 2018

schedule 15:27 - 12 Dhjetor, 2018

Një operacion masiv kërkimi po zhvillohet në verilindje të Francës për kapjen e personit që pasditen e së martës vrau tre persona dhe plagosi shumë të tjerë në tregun e Krishtlindjes së Strasburgut. Autoritetet franceze kanë ngritur nivelin e kërcënimit, kanë përforcuar kontrollin në pikat kufitare dhe u kanë kërkuar qytetarëve të Strasburgut që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ndërsa kërkimet vazhdojnë.

Ndërkohë, në operacion është angazhuar edhe policia gjermane që vepron në anën tjetër të kufirit, përgjatë lumit Rehn. Agresori është identifikuar si 29-vjeçari Sherif Çekat, i lindur në Strasburg dhe i njohur në shërbimet e inteligjencës si person që përbënte rrezik. Zëvendësministri i Brendshëm francez, Lorë Nunez, ka deklaruar se operacionet janë në vijim dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që vrasësi të jetë larguar nga vendi.

Zyrtari i lartë ka nënvizuar se dyshohet që personi të jetë plagosur nga forcat e sigurisë me të cilat shkëmbeu dy herë zjarr teksa tentonte arratinë. Zëvendësministri Nunez theksoi se i dyshuari ka qenë në burg disa herë për krime të tjera, ndërsa së fundmi kishte qenë nën monitorim për radikalizim fetar. Autoritetet kanë kontrolluar banesën e tij ku janë gjetur sasi eksplozivi dhe kanë ndaluar 5 persona në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen, mes të cilëve babain e 29-vjeçarit dhe dy vëllezër./abcnews.al