Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të hapë dyert me 15 Shtator pas rikonstruksionit të godinës. Drejtoresha, Zana Çela në një lidhje me Skype për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ndau detaje nga ceremonia e inaugurimit të Teatrit, që pritet të nisë pasditen e së mërkurës. Çela tregoi se mes artistëve që do të interpretojnë në natën ceremoniale, do të jenë pjesë dhe artisti me famë botërore Placido Domingo si dhe Ermonela Jaho.
“Aktiviteti i ceremonialit të inagurimit do të jetë në 18:45, më pas në 19:00 do të kemi prezantimin e një dokumentari që i kushtohet rikonstruksionit por prek dhe historinë e fillimeve të aktivitetit të këtij teatri. Më pas në 19:45 do të fillojmë Grand Gala, e cila është konceptuar si një moment ku rrëfejmë veprat më të mira të historisë së TKOB ka shfaqur ndër vite.
Ky rrëfim përmes një programi fillon me historinë se si nisi historia e krijimtarisë skenike shqiptare, për të vazhduar më pas me pjesë të tjera të repertorit internacional. Do të jetë dhe prezenca e Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Përveç programit vokal, do të kemi pjesë nga baleti i Preljocaj me ”Ekstravaganca”. Kjo natë do të transmetohet dhe me 16, por do të ketë dhe disa shtesa të tjera. “, tha Çela.
Për të marrë pjesë, spektatorëve do t’ju duhet të kenë çertifikatën e vaksinimit ose në të kundërt testin PCR. “Secili do të jetë i pajisur me maskë dhe të gjithë që do të jenë duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit apo nëse se kanë bërë testin e tamponit PCR. Askush nuk do të lejohet pa plotësuar këto kushte. Nuk do të përdoret gjithë kapaciteti sepse do të ruhet distancë e nevojshme midis vendeve.”, theksoi ajo. /abcnews.al