Kryeministri francez Philippe ka kërkuar unitet pas trazirave të së shtunës në Paris nga protestat e “jelekëve të verdhë”. Ai ripërsëriti kërkesën e tij për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me dialog dhe jo me dhunë.
Kryeministri francez Édouard Philippe është zotuar të “rivendosë unitetin kombëtar” pas shpërthimit të dhunës gjatë një fundjave të katërt radhazi të protestave. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome të shtunën – ditën e demonstratave të “jelekëve të verdhë” kundër rritjes së taksave të karburantit dhe kostove të larta të jetesës. Më shumë se 1,700 njerëz u arrestuan, por dhuna nuk ishte në të njëjtin nivel si një javë më parë.
“Diskutimet me protestuesit paqësorë duhet të vazhdojnë. Asnjë tatim nuk duhet të rrezikojë unitetin tonë kombëtar, tani duhet ta rindërtojmë atë unitet kombëtar nëpërmjet dialogut, nëpërmjet punës dhe bashkimit”, tha Philippe. Më tej shtoi se presidenti Emmanuel Macron, nga I cili shumë protestues dëshirojnë dorëheqjen, së shpejti do të “paraqiste masa për të nxitur këtë dialog”.
Ministri i Brendshëm francez Christophe Castaner vlerësoi policinë që u angazhua për të ruajtur rendin gjatë trazirave. Gjithashtu edhe Macron falënderoi forcat e sigurisë për “guximin dhe profesionalizmin e tyre të jashtëzakonshëm”. Ministria e brendshme njoftoi se 125 mijë qytetarë marshuan të shtunën në të gjithë vendin. Rreth 90 mijë agjentë u angazhuan, përfshirë 8 mijë në Paris ku u përdorën dhe 12 automjete të blinduara. Rreth 10 mijë qytetarë demonstruan në kryeqytetin francez, ku u panë skena shumë të dhunshme. Bizneses dhe automjete të shumta janë dëmtuar. Nga përleshjet me policinë, 118 persona u plagosën, mes tyre dhe 3 gazetarë që u qëlluan nga plumbat e gomës të policisë.
Nga ana tjetër, 17 agjentë u lënduan. Aktualisht qeveria franceze është tërhequr nga vendosja e taksës për një vit, por “jelekët e verdhë” kanë shtuar kërkesat e tyre duke kërkuar uljen e kostos së jetesës që sipas protestuesve është rritur ndjeshëm nën presidencën Macron. Madje kreun e pallatit Elize e konsiderojnë president të të pasurve. Mbështetja ndaj Macron ka prekur nivelin më të ulët, vetëm 23% e qytetarëve miratojnë politikat e tij dhe vazhdimin e mandatit. /abcnews.al