Drejtësia “vrau” Sabrinën, një ditë para krimit, gjyqtari që liroi autorin u përjashtua 15 vite

schedule18:00 - 11 Shtator, 2021

schedule 18:00 - 11 Shtator, 2021

Krimi në familje mbrëmjen e djeshme ku Elton Metaj ekzekutoi me armë ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj  edhe pse kjo e fundit kishte urdhër mbrojtje prej një viti tronditi qytetin e Fierit dhe jo vetëm. Me vendimet e marra, 23-vjeçaren Sabrina Bengaj e “vrau” drejtësia, ndërsa gjyqtari që liroi kriminalin u përjashtua nga sistemi për 15 vite.

Çfarë ndodhi?

Pasi mori peng familjen Bengaj një vit më parë dhe u arrestua nga RENEA, Metaj qëndroi në paraburgim për disa muaj. Në mars të këtij viti, gjyqtari Piro Sota vendosi fillimisht që Metaj të merrte mjekim të detyruar në një spital psikiatrik, ndërsa iu rrëzuan akuzat për veprat penale ‘Dhunë në familje’, ‘Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

Po i njëjti gjyqtar, vendosi në 26 korrik të këtij viti të zëvendësojë vendimin nga “mjekim i detyruar në një institucion spitalor” në “mjekim i detyruar ambulator” nën kujdesin e babait të tij. Pas kësaj, Metaj filloi të shëtiste lirshëm në Fier edhe pse më pak se një vit më parë kishte terrorizuar një familje duke qëlluar me armë, madje edhe duke i marrë peng ata.

Për arsye ende të paqarta gjyqtari Piro Sota e liroi 31-vjeçarin nga akuzat e rënda, i cili nuk humbi kohë, por pak javë më pas mori automatikun duke ekzekutuar ish-bashkëshorten 23-vejçare. Ky është një tjetër rast kur mosfunksionimi i institucioneve të drejtësisë çon në një tragjedi.

Për këtë rast, Inspektori i Lartë i Drejtësisë reagoi duke deklaruar se institucioni që drejton po shikon dosjet e gjyqtarit që ka marrë vendimin për lirimin e tij nga qelia. “Prej momentit të parë, jam duke ndjekur me vëmendje raportimet mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes së një 23 vjeçareje nga ish-bashkëshorti në Zhupan të Fierit. Ka nisur menjëherë vlerësimi i rastit dhe i të dhënave që dalin në media mbi veprimet e magjistratëve” shkruan Artur Metani.

Por ku është gjyqtari sot?

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi të enjten më 9 shtator, pra një ditë përpara krimit, të përjashtojë nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin që liroi nga burgu Elton Metajn. KPK ndërpreu rivlerësimin për gjyqtarin e Fierit, Piro Sota për shkak të dorëheqjes së tij. Gjithashtu, u vendosu sanksioni që i heq të drejtën për rikthimin e tij në sistemin e drejtësisë për 15 vite./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!