Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se talebanëve u është bërë përsëri e qartë gjatët orëve të fundit se komuniteti ndërkombëtar do t’u kërkojë të respektojnë zotimet për të lejuar të gjithë ata që kanë dokumente të rregullta udhëtimi të largohen nga Afganistani nëse dëshirojnë. Sekretari i Shtetit i bëri komentet në Katar, ku ndodhet së bashku me shefin e Pentagonit për të diskutuar situatën në Afganistan, masat anti-terrorizmit dhe ndihmat humanitare:
Sekretari Blinken tha se në 24 orët e fundit talebanët kishin respektuar angazhimet e bëra, duke lejuar largimin me rrugë tokësore të katër shtetasve amerikanë. Të hënën një zyrtar i Departamentit të Shtetit pohoi se talebanët ishin në dijeni të itinerarit që do të ndiqej, por pa specifikuar se në ç’pikë kufitare u nxorën katër të evakuuarit.
Zoti Blinken tha se në Afganistan besohet të ketë ende rreth 100 shtetas amerikanë, disa prej të cilëve afgano-amerikanë. Ai shtoi se Departamenti i Shtetit është në kontakt direkt me ta dhe me personat që e kanë për detyrë t’i ndihmojnë të gjejnë mënyra për të dalë nga Afganistani.
“Po zhvillojmë diplomaci intensive në këto momente. Jemi në kontakt me talebanët mbi këtë temë. Kanë thënë se do të lejojnë largimin pa probleme të personave me dokumente udhëtimi.Do t’u kërkojmë të mbajnë zotimin,” tha sekretari i shtetit.
Zoti Blinken i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, Ministrin e Jashtëm të Katarit Mohammad bin Abdulrahman Al Thani dhe Ministrin e Mbrojtjes së Katarit Mohammed al-Attiyah, pas një takimi për të diskutuar situatën në Afganistan, anti-terrorizmin dhe ndihmat humanitare.
Zoti Blinken reagoi ndaj komenteve të zyrtarëve në Afganistan se katër avionë me shtetas afganë ishin bllokuar në pistën e fluturimeve në Mazar-e-Sharif.
“Nuk kemi informacion që ka persona që po mbahen të bllokuar në Mazar-e-Sharif. Por po analizojmë kërkesat dhe rregulloret për lëvizje dhe dalje nga Afganistani,” tha ai.
Ai shprehu mirënjohje të thellë për popullin e Katarit për rolin që ka luajtur ky vend duke u shndërruar në një pikë masive evakuimesh për shtetas amerirkanë dhe afganë të rrezikuar pas rënies së Afganistanit në duart e talebanëve. “Dë të kujtohet për shumë kohë ajo që bëri Katari për amerikanët, afganët dhe shtetas të vendeve të tjera,” tha zoti Blinken.
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, vlerësoi rolin e Katarit për të realizuar me sukses operacionin më të madh të evakuimeve nga ajri në histori:
“Në një moment kritik dhe historik, Katari bëri më shumë se ç’pritej prej tij. Zemërgjerësia juaj luajti rol për të shpëtuar mijëra jetë. Jam shumë krenar që ushtria jonë, së bashku me partnerët realizuan evakuimin më të madh nga ajri në histori, duke nxjerrë nga Afganistani më shumë se 124,000 vetë,” tha shefi i Pentagonit.
Ministri i jashtëm i Katarit, al Thani, tha se vendi i tij po punon me afganët për t’u ofruar asistencë teknike në mënyrë që të rikthehen në funksionim aeroportet për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare si dhe për të rifilluar transportin e pasagjerëve.
Gjatë qëndrimit në Doha, dy zyrtarët e lartë amerikanë po vizitojnë edhe një qendër ku përgatitet dokumentacioni për të evakuuaritt si dhe po takohen me ushtarakë e diplomatë amerikanë.
Më pas Sekretari i Shtetit, Blinken shkon në Gjermani për t’u takuar me trupat amerikane dhe refugjatë afganë në bazën Ramshtajn.
Gjatë qëndrimit në Gjermani ai do të drejtojë edhe një takim ministror me pjesëmarrjen e 20 vendeve të angazhuara në zhvendosjen dhe sistemimin e refughatëve afganë.
Ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Austin do të vazhdojë turneun e tij me vizita në Bahren, Kuvajt dhe Arabi Saudite./VOA