DASH zbulon si u larguan 4 amerikanë nga Afganistani, Blinken nis takimet në Katar e Gjermani

schedule08:07 - 7 Shtator, 2021

schedule 08:07 - 7 Shtator, 2021

Katër amerikanë të tjerë arritën të largohen nga Afganistani përmes një rruge tokësore me lejen e talebanëve që kanë vendin nën kontroll, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit të hënën.

Edhe pse kryengritësit talebanë, të cilët tani kontrollojnë Afganistanin, kanë bllokuar fluturimet ajrore që transportojnë shtetas amerikanë si dhe afganë që duan të largohen nga vendi, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se talebanët nuk penguan kalimin e katër amerikanëve dhe ishin në dijeni të nisjes së tyre.

Zyrtari e njoftoi këtë fakt pak para se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të mbërrinte në Doha për të falenderuar zyrtarët e Katarit për ndihmën që dhanë si pikë e parë tranziti për mijëra amerikanë dhe afganë, të cilët u larguan nga Kabuli në fund të gushtit.

“Ne kemi mundësuar largimin e sigurt të katër amerikanëve përmes rrugës tokësore,” tha zyrtari, pasi individët u pritën nga personeli i ambasadës kur kaluan kufirin afgan.

Por zyrtari nuk tha se në cilin vend kaluan ata në evakuimin e parë tokësor të organizuar nga Departamenti i Shtetit. Afganistani ka në kufi Iranin, Turkmenistanin, Uzbekistanin, Taxhikistanin dhe Pakistanin.

Pas ndalesës në Katar, Sekretari Blinken shkon në Gjermani për bisedime me aleatë të rëndësishëm amerikanë mbi përmbylljen javën e kaluar të luftës gati dy-dekadëshe të SHBA në Afganistan.

“Rrugës për në Doha të Katarit dhe Ramshtaj të Gjermanisë, ku do të kem mundësinë të falënderoj personalisht miqtë tanë nga Katari dhe Gjermania për mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë dhënë për të transportuar në mënyrë të sigurtë qytetarët amerikanë, afganët dhe të evakuuarit e tjerë nga Afganistani,” shkruante zoti Blinken në Tëitter të dielën vonë.

Katari ishte një qendër kryesore për transportin masiv të amerikanëve nga Kabuli; ai shërbeu po ashtu si një pikë e parë zbarkimi për mijëra refugjatë afganë pas marrjes nën kontroll të Afganistanit nga talebanët muajin e kaluar.

Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin po viziton aleatët amerikanë në Lindjen e Mesme për t’i falënderuar për ndihmesën e tyre në evakuimet nga Afganistani. Ndalimet e tij përfshijnë Katarin, Bahrenin, Kuvajtin dhe Arabinë Saudite.

“Jam nisur drejt Gjirit Persik për të falënderuar personalisht partnerët tanë atje për mbështetjen ndaj përpjekjeve të evakuimit nga Afganistani. Operacioni “ALLIED REFUGE” nuk do të kishte qenë i mundur pa miqtë tanë në Gji. Mbështetja e tyre shpëtoi jetë,” shkruante të dielën zoti Austin.

Sekretari i Shtetit, Blinken u tha gazetarëve të premten se gjatë ndalesës në Gjermani, do të shkonte në Bazën e Forcave Ajrore amerikane, Ramshtajn, për të falenderuar trupat amerikane dhe për t’u takuar me refugjatët afganë.

Zoti Blinken tha gjithashtu se ai do të drejtojë një takim virtual ministror prej 20 vendesh mbi Afganistanin të mërkurën së bashku me Ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Ai tha se të 20 vendet “kanë interesa të lidhura me operacionet për të ndihmuar në lëvizjen dhe sistemimin e afganëve të zhvendosur si dhe për t’u kërkuar llogari talebanëve që të mbajnë zotimet e tyre”.

Talibanët kanë premtuar se do t’u lejojnë kalim të sigurt afganëve dhe të tjerëve që duan të largohen nga vendi, por shumë afganë dyshojnë në besueshmërinë e premtimeve të tyre. Zyrtarët në Afganistan thonë se katër avionë të planifikuar të nxirrnin shtetas afganë nga vendi janë bllokuar në fushën e aviacionit në qytetin verior të Mazar-e-Sharifit, ndërsa ligjvënësi amerikan Michael McCaul i tha emisionit “Fox Neës Sunday” se gjashtë avionë janë ndaluar, përfshirë disa me shtetas amerikanë.

Në komentet e tij të premten, zoti Blinken përsëri mbrojti vendimin e Amerikës për t’u tërhequr nga Afganistani, duke thënë se një numër relativisht i vogël qytetarësh amerikanë mbeten në vend dhe se Departamenti i Shtetit është në kontakt aktiv me të gjithë ata. Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Ron Klain i tha kanalit CNN të dielën se rreth 100 amerikanë mbeten në Afganistan, ndryshe nga zoti McCaul, i cili thotë se atje ende janë “qindra amerikanë”.

Zoti Blinken tha se SHBA mbetet e përkushtuar për të ndihmuar çdo amerikan që dëshiron të largohet dhe për të ndihmuar ata që përmbushin kriteret për vizë speciale imigracioni, si dhe afganë të tjerë që ndihmuan Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së tyre gati 20 vjeçare në këtë vend.

Administrata e Presidentit Biden është kritikuar nga ligjvënësit republikanë, grupet e të drejtave të njeriut dhe të tjerë për mënyrën se si i menaxhoi evakuimet nga Afganistani pasi talebanët morën nën kontroll Kabulin më 15 gusht./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!