Nga Ajgena Korbi
“…Për një kohë të gjatë, në pothuajse një të tretën e botës është predikuar një marksizëm i shtrembëruar dhe i vulgarizuar, është propaganduar “ndarja” e Marksit në dy pjesë, në “të vjetër” dhe “të ri”. Për më tepër, ndërtuan sisteme politiko-shoqërore, që në të gjitha drejtimet ishin të papajtueshme për frymën e humanizmit të Marksit”
Kjo është një pjesë shkëputur nga teksti i Filozofisë me të cilin mësojnë nxënësit e klasave të 11 me autor Yllka Plasari dhe Ilirjan Meta. Mënyra sesi iu paraqitet Karl Marksi i “Manifesit Komunist” gjimnazistëve ka ngjallur debate në rrjetet sociale. Politologu Ermal Hasimja mendon se është e gabuar.
“Problemi kryesor qëndron te ndarja, shfaqësimi, relativizimi dhe ndarja e teorisë së marksizmit me praktikën e komunizimit, me idenë që nuk ka pasur realisht komunizëm sepse nuk janë zbatuar idetë e Marksit. Ndrëkohë që është saktësisht e kundërta. Në Shqipëri të gjitha parimet themelore të manifestit të Partisë Komuniste të Marksizmit janë zbatuar një për një; zhdukja e pronës private, monopoli i Partisë Komuniste, të gjithë elementët që lidhen me fenë, lufta e klasave etj,” thekson Hasimja.
Problemin politologu e sheh përtej gjuhës lavdëruese që është përdorur për filozofin gjerman.
“Kur ti thua që komunizmi është shumë më i mirë në teori, por nuk është zbatuar siç duhet, në fakt i hap rrugën eventualitet që në të ardhmen dikush mund të çohet dhe ta propozojë prapë dhe të marrë vota dhe ta instalojë sërish diktaturën në Shqipëri,” shprehet Hasimja.
Politologu nuk përligj censurën në tekste ndërkohë u sugjeron mësuesve.
“Nuk ka vend për opinion, nuk ka vend për të shprehur zhgënjimin, dashurinë, mahnitjen tënde, pas gomarllëqeve të Maksit, nga pikëpamja ime, por ti thjesht merr dhe paraqet faktet e ndryshme. Krahason atë që është ngritur në teori dhe atë që është bërë në praktikë. Ai që dëgjon aty ka mundësi që të marrë dhe të arrijë në përfundim,” thotë ai.
Kapitullit ku trajtohet Karl Marksi në filozofinë e klasës së 11 sipas politologut Ermal Hasimja i mungon argumenti dhe krahasimi. /abcnews.al