VIDEO/ Armando Broja është heroi, Shqipëria i tregon forcën Hungarisë

schedule19:54 - 5 Shtator, 2021

schedule 19:54 - 5 Shtator, 2021

Shqipëria ka arritur të fitojë ndaj Hungarisë me shifrat 1-0 në “Elbasan Arena”, falë rrjetës së Armando Brojës, i cili theu “tabunë” dhe i dha kuqezinjve golin dhe triumfin e parë në histori ndaj Hungarisë.

Skuadra jonë ishte gjatë gjithë ndeshjes më e mira në fushë, por mbërritja te goli ishte e vetmja gjë që i mungoi skuadrës së Rejës. Që në minutat e para Shqipëria ishte një skuadër me pretendime të qarta dhe imponuese me lojën e saj.

Hungaria shpejt iu nënshtrua skuadrës sonë dhe tentoi të mbrohet, duke tentuar ndonjë sulm të shpejtë, të ndalur nga Berisha dhe nga qendra e mbrojtjes. Ndërkohë, në krahun tonë një goditje e Uzunit dhe një rast flagrant i Kumbullës pak metra nga porta ishin dy rastet më flagrante të pjesës së parë.

Nuk kemi si të mos përmendim  debutimin e Nedim Bajramit, i cili në pjesën e parë i shtoi shumë “sharm” e cilësi lojës së skuadrës së Edy Rejës. Edhe në të dytën kombëtarja jonë ishte “e zonja” e fushës dhe e dominoi kundërshtarin, duke krijuar raste të pastra dhe mos i lënë asnjë hapësirë miqve.

Fillimisht ishte Balaj, që humbi një rast përballë me portierin e Hungarisë. Më pas kishim mundësi të shënonim me dy goditje dënimi, por sfera gjeti murin e miqve. Në minutat e fundit Çekiçi kishte një rast shumë të mirë, por nuk ia arriti qëllimit.

https://streamable.com/ovxs9p

Në 10 minutat e fundit sulmet e Shqipërisë ishin shumë më intensive dhe agresive, por sërish finalizimi mungoi. Kjo ndodhi deri në minutën e 87, kur Armando Broja mori një top nga Roshi, që e befasoi mbrojtjen. Djaloshi bëri gjithçka mirë, gjeti hapësirën me klas dhe goditi në këndin e pakapshëm për portierin.

Një gol shumë i rëndë i djaloshit, që është i pari për të në kombëtare dhe vjen në momentin kur na duhej më shumë sepse vinim pas një humbje zhgënjyese ndaj Polonisë. Me këtë triumf, Shqipëria shkon në kuotën e 9 pikëve pas 5 raundeve, duke u renditur momentalisht e dyta, pas Anglisë, mundi me “poker” Andorrën. /abcnews.al