FT: Si Rusia po fillon të mbjellë farat e “diplomacisë së grurit”

schedule11:06 - 4 Shtator, 2021

schedule 11:06 - 4 Shtator, 2021

Nga Nastassia Astrasheuskaya, Financial Times

“Vladimir Putin sapo ishte bërë president”- kujton një konsulent i tregjeve në Moskë, që kërkon të mbetet anonim. “Gjatë një takimi atij iu tha se Rusia importonte më shumë se 50 për qind të nevojave të saj ushqimore. Ai u zbeh në fytyrë.”

“Që nga ai moment Putini e bëri prioritet kryesor garantimin e një sigurie më të mirë ushqimore në vend. Ai i frikësohet varësisë nga vendet e huaja. Dhe tani Rusia është vendi i parë në botë për prodhimin e grurit. Tani janë të tjerët që po bëhen të varur nga ajo”- thotë eksperti që ishte i pranishëm në atë mbledhje të 21 viteve më parë.

Problematik që nga epoka e fundit e Bashkimit Sovjetik, kur kishte qenë një importues neto i grurit, ky sektor u neglizhua deri në vitin 2000, pa subvencione për prodhuesit dhe shumë i varur nga importet. Putini nisi në vitin 2004zbatimin e një programi të udhëhequr nga shteti për zhvillimin e bujqësisë përmes projekteve kombëtare, që synonin stimulimin e investimeve dhe zhvillimin e prodhimit.

Ky program synonte të siguronte 80-95 për qind vetë-mjaftueshmëri në produktet ushqimore kryesore, përfshirë drithin. Një dekadë më vonë, u miratua një statut për grurin, me synim rritjen e transparencën në treg. “Kompanitë më të mëdha dhe shteti ranë dakord ta bëjnë këtë treg më pak të errët me synim përfitimin e të gjithëve. Efekti ishte shumë pozitiv. Këto masa kanë ndihmuar eksportet”- shprehet Daria Snitko, analiste në Gazprombank.

Po kështu ndodhi edhe me zhvlerësimin e madh të rublës, që i bëri eksportet më të lira-që pasoi vendosjen e sanksioneve nga SHBA dhe BE kundër Moskës pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe përballjes me Ukrainën fqinje. Në ato kushte Kremlini ndaloi shumicën e importeve të ushqimit nga Perëndimi, duke nxitur rritjen e mëtejshme të prodhimit vendas.

Menjëherë pas kësaj, vendi më i madh në botë sa i përket tokave bujqësore u bë eksportuesi më i madh i grurit në botë, duke ia kaluar për herë të parë SHBA-së dhe Kanadasë në vitin 2017.

“Ne jemi të parët në botë për prodhimin e grurit. Dhe mposhtëm në këtë garë SHBA-në dhe Kanadanë”- do të deklaronte Putin në një konferencë shtypi. Gruri, dhe në përgjithësi drithërat, janë shndërruar në burime të vlefshme të kapitalit të huaj në një ekonomi të goditur nga sanksionet.

Tani Rusia po depërton dalëngadalë në Eurazi, Afrikë dhe Amerikën Latine, si vendi kryesor i eksportit të prodhimeve bujqësore, ndërsa duket se do të zvogëlojë varësinë e saj nga nafta, do të identifikojë tregje të reja, dhe do të zgjerojë ndikimin e saj diplomatik global.

Madje diasa analistë parashikojnë se gruri rus do të shndërrohet në naftën e re e Kremlinit. Një produkt, përmes të cilit ai mund mbajë disa vende të varura nga burimet e tij, ose të paktën t’u hapë dyert të tjerëve .Marrëveshja e Rusisë për të ulur prodhimin e naftës në një përpjekje të përbashkët me OPEC në vitin 2016, ishte një kompromis me Arabinë Saudite, kreu de facto të kartelit të naftës.

Riadit i duhej një çmim më i lartë i naftës për të balancuar buxhetin e saj sesa Rusisë, thotë Madina Khrustaleva, analiste në kompaninë “TS Lombard”. Ndaj Moska bëri kompromis, duke e ulur prodhimin dhe duke rritur çmimet e naftës më shumë se sa do të donte.

“Rusia bashkëpunoi, por në këmbim Arabia Saudite e hapi tregun e saj të madh për pulat dhe grurin rus”- theksoi ajo. Po ashtu kohët e fundit Riadi lehtësoi kërkesat e saj për cilësinë e grurit të importuar, duke ia hapur derën eksporteve ruse, të cilat përbëjnë tani 10 për qind të importeve të drithërave nga Arabia Saudite, kryesisht elb, sipas “Rusagrotrans”, kompanisë kryesore të transportit hekurudhor të grurit.

Pas lobimit të suksesshëm për tregjet e reja, sidomos në Azi, Kinadhe Vietnami janë bërë klientët më të mëdhenj të saj. Eksportet e drithërave dhe mishit e kanë zgjeruar praninë e Rusisë në vendet në zhvillim, thonë ekspertët e industrisë. OKB-ja llogarit se bota do të ketë nevojë të prodhojë një shtesë prej 40 për qind më shumë ushqim deri në vitin 2050,vetëm për të mbajtur ritmin e një popullsie botërore që pritet të shtohet me 2 miliardë njerëz gjatë 30 viteve të ardhshme.

“Ne jemi të destinuar të kemi një rritje dhe sukses të caktuar në industrinë ushqimore. Është një industri shumë fitimprurëse për shkak të pozicionit gjeopolitik”- thekson Oleg Rogaçev, anëtar bordi në “Rusagrotrans”. Dhe sipas të dhënave të këtij të fundit të përpiluara bazuar në statistikat e Departamentit Amerikan të Bujqësisë, Rusia përfaqëson një të tretën e importeve të grurit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, 10 për qind të atyre në Azi dhe furnizon rreth një të pestën e kërkesës totale të grurit të planetit.

Prodhimi bujqësor në vend është rritur me gati 50 për qind që nga viti 1991. Eksportet janë më shumë se 3-fishuar në atë kohë në mbi 30 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke u rritur me 1/5 në terma monetarë gjatë vitit 2019. Nga të gjitha eksportet bujqësore, gruri është burimi kryesor i këmbimit valutor, me Egjiptin dhe Turqinë.

Tani Dmitry Patrushev, ministri rus i Bujqësisë dhe djali i një aleati të ngushtë të Putinit Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurisë, është ngarkuar me detyrën e shtimitme 50 për qind të vlerës së eksporteve bujqësore deri në vitin 2024. Po ashtu ai është nën presion për ta rritur prodhimin e grurit në 140 milionë ton deri në vitin 2025, për të përmbushur kërkesat e këtyre tregjeve të eksportit.

Por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe motit të keq që po godet këtë vit të korrat, pritet të ketë një rënie të nivelit të prodhimit në 127 milionë ton në vitin 2021, gjë që e bën shumë të vështirë arritjen e objektivit të vitit 2025.

Ushqimi ka qenë përherë një mjet diplomatik në marrëdhëniet e Rusisë me fqinjët e saj më parë. Rusia ndaloi disa importe bujqësore turke si pjesë e disa sanksioneve pas rrëzimit të një avioni luftarak rus nga forcat turke në vitin 2015. Importet rifilluan vetëm 2 vjet më vonë, dhe Turqia u bë importuesi kryesor i grurit rus në vitin 2019, kur ra dakord që të lejonte kalimin e gazit rus për në Evropë, pas refuzimit të Bullgarisë.

Në këmbim të shitjeve të grurit ndaj Iranit, Rusia ra dakord që të shiste naftën iraniane si pjesë e shkëmbimit naftë-për-mallra, para rivendosjes së sanksioneve amerikane ndaj Teheranit në fundin e vitit 2018. Ajo që ka ndryshuar është shkalla dhe ambicia e industrisë.

Ndërsa Rusia po fiton lidershipin në tregun global të grurit, ajo po përpiqet që të gjejë një ekuilibër midis sigurimit të tregjeve të ardhshme dhe politikës së jashtme. Tani për tani, thotë Khrustaleva, e para e tejkalon këtë të fundit. “Në situatën aktuale ekonomike, për Rusinë është e rëndësishme të ketë qasje në tregjet e jashtme, në vend se të përpiqet të arrijë diçka në politikën ndërkombëtare përmes furnizimit me grurë”- mendon ajo.

Disa analistë në këtë industri thonë se të ardhurat nga shitja e grurit po kompensojnë një pjesë të humbjeve nga rënia e prodhimit të naftës. Por bujqësia përbën për momentin vetëm 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Rusisë, krahasuar me 15 për qind që zë nafta dhe gazi, sipas statistikave zyrtare ruse.

Të ardhurat nga nafta dhe gazi, përbëjnë ende gati një të tretën e buxhetit të shtetit. Por paqëndrueshmëria e çmimeve e ka vënë në një situatë të vështirë Rusinë dhe prodhuesit e tjerë. Luftërat tregtare globale dhe tranzicioni drejt energjisë së pastër, e kanë detyruar Moskën të shikojë mundësitë që ka në dispozicion për të zvogëluar varësinë e saj nga karburantet fosile.

Në këtë kontekst, ushqimi është bërë një mjet i ri i dobishëm për diplomacinë e Moskës.

Kjo e fundit e sheh këtë sektor si një element kyç për shtimin e ndikimit në rajonet me rritjen më të shpejtë të popullsisë, si Afrika dhe Azia Juglindore, ku do të jetojnë shumica e 2 miliardë njerëzve shtesë deri në vitin 2050. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!