Dhunë në futbollin anglez edhe për 21-vjeçarët

schedule15:21 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 15:21 - 5 Dhjetor, 2018

Sërish dhunë tifozësh në futbollin anglez. U shkaktuan dëme të mëdha materiale, dhe u bënë arrestime, ndonëse bëhej fjalë thjesht për një ndeshje mes 21-vjeçarëve.

Në fund të fundit ishte thjesht një ndeshje 21-vjeçarësh. Kush e priste që nga një përballje kaq e pafajshme, aspak e nivelit të lartë, të shkaktohej një problem kaq i madh.

Luhej Port Vejl-Stouk Siti në kampionatin e Shpresave në Angli, por ishte një derbi, dhe u duk se ferri zbriti mbi tokë. Plot 4 000 tifozë miq kishin ardhur në stadium, dhe një pjesë e tyre shkaktuan dhunë e dëme të mëdha materiale e njerëzore.

Përleshjet ishin jashtë stadiumit para dhe pas ndeshjes, ndërsa brenda në stadium u hodhën flakadanë, fishekzjarre, shishe apo monedha, sidomos në pjesën e parë.

Në pushim të takimit, u shkatërruan edhe tualetet, bashkë me dritaret e tyre, si dhe u shkulën ulëset nëpër tribuna. Plot 180 forca policore ndodheshin në stadium, por ata thjesht shmangën më të keqen, ndërsa edhe u sulmuan nga tifozët e zemëruar, ashtu siç u sulmuan edhe rojet private të sigurisë.

U arrestuan 11 tifozë, dhe një roje sigurie mori trajtim mjekësor pasi u godit me shishe në kokë. Policia deklaroi se ky ishte operacioni më i madh policor i saj në qytet në 10 vitet e fundit.

Sfida ishte derbi i parë mes dy ekipeve pas 16 vitesh, u ndoq nga gati 8 000 tifozë, dhe përfundoi me rezultatin 4-0 për Port Vejlin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!