Në përgjigje të kërcënimeve të Beogradit zyrtar për krijimin e ushtrisë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri të qartë se ushtria nuk po krijohet për veriun e Mitrovicës po për misione paqeruajtëse.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të Beogradit zyrtar për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Kreu i ekzekutivit tha se asnjë kërcënim apo parlajmërim për përshkallëzim tensionesh mes dy vendeve nuk do të realizohet. Haradinaj theksoi se ushtra e vendit nuk po krijohet për veriun e Mitrovicës, por për misione në Afganistan dhe Irak.
Kreu i qeverisë u shpreh dhe në lidhje me rezolutën e PSD-së dhe qëndrimin e presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, formimi i delegacionit shtetëror në bisedimet me Serbinë është i nevojshëm. Sa i përket liberalizimit të vizave, ai tha se qeveria është fajtore për detyrimet që ka plotësuar por nuk mund t’i kryejë edhe ato të BE-së.
Ndërsa sa i përket taksës ndaj mallrave serbe, Haradinaj tha se deri në 175 mallra serbe hyjnë pa asnjë taksë, dhe ka përjashtime për dërgesat humanitare. /abcnews.al

