Gjykata Europiane e Drejtësisë: Britania mund ta anulojë Brexit

schedule23:45 - 4 Dhjetor, 2018

schedule 23:45 - 4 Dhjetor, 2018

Mbretëria e Bashkuar ka ende mundësi të ndërrojë mendje në lidhje me projektin e saj për t’u larguar nga BE-ja. Në një opinion të kërkuar nga ligjvënësit anti-Brexit, Gjykata Europiane e Drejtësisë vlerëson se, nëse ndërron mendje, Britania mund ta braktisë procesin në mënyrë të njëanshme.

Mbretëria e Bashkuar, ashtu sikurse e mori vendimin për t’u larguar nga Bashkimi Europian, është në gjendje të marrë një vendim të dytë që anulon Breksit. Kështu thuhet në një opinion të kryetarit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, i cili është publikuar të martën.

Opinioni, që ka fuqi rekomanduese, erdhi pasi një grup politikanësh skocezë i kishin kërkuar gjykatës një vlerësim nëse Britania mund ta ndërmarrë një lëvizje të tillë pa konsensusin e vendeve anëtare. Sugjerimi i kryegjyqtarit Manuel Campos Sanchez Bordona vjen gjithashtu në një kohë kur Parlamenti britanik po bëhet gati të votojë javën e ardhshme marrëveshjen e negociuar nga kryeministrja Theresa May me BE-në.

“Nëse një vend vendos në mënyrë të njëanshme të lërë BE-në, atëherë ai mund të ketë edhe pushtetin që në të njëjtën mënyrë të ndërrojë mendje gjatë procesit 2-vjeçar të largimit”, thuhet në opinionin e gjykatës.

Duke cituar nenin 50 të Traktatit të BE-së, opinioni vlerëson se për këtë nuk është i nevojshëm konsensusi i 27 vendeve anëtare. Ligjvënësit anti-Brexit që kishin çuar çështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë janë të mendimit se, në këtë mënyrë Parlamentit do t’i paraqitet një opsion shtesë kur do t’i duhet të votojë për marrëveshjen e arritur nga kryeministrja May, që mund të çojë në anulimin e Breksit përmes një referendumi të dytë. Edhe pse opinioni i publikuar nuk ka fuqi ekzekutive, Gjykata Europiane është e prirur ta veprojë në të njëjtën linjë me të./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!