Gjasula: Futbolli pa tifozë nuk është njëlloj, Poloninë e respektojmë

schedule15:12 - 30 Gusht, 2021

schedule 15:12 - 30 Gusht, 2021

Klaus Gjasula është rikthyer në kombëtare dhe sot para mediave, në prag të ndeshjes me Poloninë më 2 shtator, foli për shumë çështje. Fillimisht mesfushori i Darmstadt deklaroi: “Ndihem gjithmonë gati për të luajtur me Kombëtaren. Për mua është e rëndësishme tani që të bëj prapë minuta në fushë, sepse më ka munguar. Prandaj bëra këtë hap, te një klub pak më i vogël, për të luajtur dhe për të qenë gati për Kombëtaren”.

“Ndeshjet e fundit që kemi pasur e kanë treguar që fryma është shumë e mirë, që po rritemi bashkë dhe më e rëndësishme është që t’i fitojmë ndeshjet, pasi po fituam ndeshjet, secili ka më shumë besim dhe rritesh akoma më shpejt. Fryma është e mirë, përzierja e lojtarëve me eksperiencë dhe lojtarëve të rinj është shumë e mirë, harmonia është e mirë dhe më bëhet qejfi që jam këtu”.

“Kritikat për mesfushën? Ne kemi edhe mesfushorë të mirë. Unë besoj se secili prej tyre ka cilësitë e veta. Si ekip, nuk kam dëgjuar që në mesfushë, mbrojtje apo sulm jemi dobët. Ne kemi bërë paraqitje të mira dhe aty do të provojmë të vazhdojmë. Ndeshja nuk fitohet apo humbet në sulm, mesfushë apo mbrojtje. Jemi të gjithë si ekip për atë punë aty, që të forcohemi bashkë dhe do të provojmë më të mirën dhe do të japim maksimumin”.

“Polonia? Është një ekip me shumë eksperiencë dhe cilësi. Pa diskutim, edhe Gjimshiti e tha që kanë lojtarë që luajnë në ekipet më të mira në botë. Edhe pse nuk luajtën mirë në Europian, kanë cilësitë e tyre dhe e dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Do të kemi respekt përballë kundërshtarit, por frikë asnjëherë. Po të japim ne maksimumin dhe secili të tregojë cilësitë e tij, besoj se i kemi të gjitha mundësitë”.

“Tifozët dhe shanset e kualifikimit? Çdo futbollist gëzohet shumë dhe është i lumtur se do të vijnë tifozët në stadium sepse kështu e kemi mësuar futbollin, që të vegjël. Futbolli pa tifozë nuk është njësoj, mungojnë emocionet dhe besoj edhe për ne është shumë e rëndësishme të vijnë tifozët.

Tani kemi njëherë ndeshjen me Poloninë, është e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mirë dhe për ato dy ndeshje do të shohim. Është e rëndësishme ta lëmë grupin hapur për ndeshjet në fund, që të kemi mundësi për t’i arritur të gjitha.

“Kualifikimi? Është herët për të folur. Të përqendrohemi fillimisht te Polonia, të kapim sa më shumë pikë që kemi mundësi në këto tre ndeshje dhe pastaj të shohim”, tha Gjasula në mbyllje të deklaratës së tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!