Krerët e qeverisë së Malit të Zi mbajtën një konferencë të posaçme për shtyp në lidhje me kapjen e 1.4 ton kokainë që hyri nga porti i Tivarit në vend.
Kryeministri Krivokapiç doli para mediave i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Sergej Sekulovic dhe zv.kryeministri Dritan Abazoviç duke njoftuar dhënien e disa pagave shpërblim për punonjësit e policisë të përfshirë në këtë operacion, ndërsa dhanë mesazhe të forta edhe ndaj sistemit të drejtësisë në vend.
Lexo edhe: E solli “Charlotte”, zbulohet itinerari i kokainës me vlerë 100 milion euro të kapur në Malin e Zi
“Heronjtë në këtë vend duhet të jenë shkencëtarët, sportistët apo policë si ata që bënë operacionin e madh anti-drogë dhe jo kriminelët”, tha kryeministri malazez, raporton abcnews.al.
Ndërkohë, Abazoviç tha se Mali i Zi edhe pse një shtet i vogël ka një dëshirë të madhe për të luftuar kriminalitetin. Ai theksoi se qeveria malazeze ka dëshirën për të luftuar kriminalitetin dhe se gjykatat dhe prokuroria duhet të ndjekin këtë vullnet.
Pak ditë më parë, në Mal të Zi u sekuestruan 1.4 ton kokainë që kishte hyre përmes një kontejneri me banane. Ai u la nga policia të kalonte me qëllim zbulimin e porositësve. Pasi e ndoqën, policia zbuloi se kamioni hyri në një magazinë në Zeta duke arrestuar aty edhe dy persona. /abcnews.al