Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të ish kreut të Kuvendit të Kosovës Kolë Berisha. Në një status në faqen e tij zyrtare, kreu i shtetit thotë se kjo është një humbje e madhe për familjen miqtë dhe kolegët e tij. Ai shton se urtësia dhe veprimet e matura të Berishës do të kujtohen gjithmonë.
“Me hidhërim mora lajmin për largimin nga jeta të z.Kolë Berisha, politikanit të urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova.
Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella!
Aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, angazhimin jetësor të Kolë Berishës nuk e ndalën as persekutimet dhe burgosjet, për të spikatur si ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-deputet, me kontributin e tij përherë të respektuar për konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim! Të prehet në paqe!”, shkruan Meta. m.v/abcnews.al