Nga Ermal Vija
Qytetit Studenti i bashkohen 154 banorë të rinj. Ata janë refugjatët afganë që mbërritën në orët e para të së shtunës dhe do të qëndrojnë këtu deri në nisjen e vitit të ri akademik. Nën shoqërinë e punonjësve sociale që kujdesen për t’i orientuar, qytetarët afganë me dokumente në duar, nisen nga ambientet e godinave numër 21 dhe 22 drejt stacionit të policisë.
Pasi përfundojnë të gjitha proceduar, nga marrja e shenjave të gishtave deri tek regjistrimi i të dhënave, shkojnë pranë mensave për tu ushqyer. Në godinat 11-12 policia ka vendosur një perimetër dhe do të kujdeset për sigurinë e banorëve më të rinj.
Ka edhe nga ata që mundohen t’i shmangen objektivit të kamerave. Tregohen të kujdesshëm ndaj pandemisë, pothuajse të gjithë mbajnë në fytyrë maska anti-covid. Nuk hezitojnë të flasin për kamerat, por edhe pse ndihen të sigurt në Shqipëri për ta ky nuk është ky destinacioni final.
“Jemi shumë i lumtur që jam këtu, por është një destinacion i përkohshëm pasi jemi tranzit” tha njëri prej tyre. Mes refugjatëve ka edhe gazetarë që tregojnë se qëndrimi në vendin tonë është vetëm për pak ditë.
“Plani ynë është që të qëndrojmë këtu për pak ditë, më pas do të shkojmë në një vend tjetër” tha ai.
Të paktën deri në nisjen e vitit të ri akademik, refugjatët afganë do të qëndrojnë në godinat e qytetit studenti, por ish-banorët nuk e kanë pritur mirë këtë vendim. “Ka plot studentë që nuk e përballojnë dot qiranë, nuk më duket zgjedhje e mirë” tha një prej tyre./ Abcnews.al