Deputetët e partisë populiste të djathtë në Gjermani, alternative për Gjermaninë, kanë pyetur qeverinë në Berlin për Shqipërinë dhe kriminalitetin e shqiptarëve në Gjermani. Qeveria e Kancelares Merkel është përgjigjur se Shqipëria ka një rol pozitiv në rajon.
Qeveria Gjermane është e mendimit se Shqipëria luan parimisht një rol pozitiv në rajon. Dhe se në Shqipëri nuk ka aktivitete ose parti që e mbështesin idenë e bashkimit me Kosovën. Këtë ajo e vë në dukje në një përgjigje ndaj një kërkese të deputetëve Markus Frohnmaier, Dietmar Friedhoff dhe grupit parlamentar “Alternativë për Gjermaninë”. Deutsche Velle ka publikuar përgjigjen e qeverisë së kancelares Merkel ku ndër të tjera thuhet se në Shqipëri ekziston konsensus mbipartiak për anëtarësinë në NATO, integrimin në BE, për një shtet demokratik dhe kushtetues dhe për mirëkuptim në politikat rajonale. Partia e djathtë i ka shtruar pyetjet duke u nisur nga vizita e ministrit Heiko Maas në Tiranë, në shtator të këtij viti, dhe deklaratat e tij atje, ku e kishte vlerësuar ndër të tjera Shqipërinë edhe si garantuese të paqes në rajon.
“Në qeverisjen e kryeministrit Edi Rama ka pasur afrim me Republikën e Serbisë, sidomos në vazhdën e procesit të Berlinit. Në vitet 2014 dhe 2015 janë shkëmbyer dy vizitat e para reciproke në nivel kryeministrash që nga vitet 1940. Në vitin 2015 dy kryeministrat e dy vendeve hodhën idenë për krijimin e një organizate bashkëpunimi rajonal për të rinjtë, e cila filloi punën në vitin 2017 me seli në Tiranë”, thuhet më tej në dokument.
AfD bën pyetje edhe lidhur me idenë e bashkimit etnik të shqiptarëve, ose siç e quan ajo “Shqipëria e Madhe”.”Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës i lidhin marrëdhënie të ngushta bilaterale. Shqipëria e sheh gjuhën dhe kulturën shqipe si një pikë kontakti për bashkëpunimin ndërkufitar, sidomos me Kosovën”, përgjigjet Ministria e Jashtme gjermane. Sipas kësaj të fundit në Kosovë është lëvizja opozitare „Vetevendosje” e vetmja që e mbron këtë ide. Kushtetuta e Kosovës megjithatë e përjashton mundësinë e bashkimit me një shtet tjetër. Qeveria federale e ka bërë të qartë disa herë se ajo nuk mbështet ndryshime territoriale në Ballkan mbi bazën e kritereve etnike.
Pyetjes në lidhje me ekstremistë shqiptarë në Gjermani, qeveria i përgjigjet se nuk di që të ketë struktura ose tubime ekstremiste shqiptarësh në Gjermani. Por pranon se ndër anëtarët dhe simpatizantët e organizatave islamiste të gatshme për dhunë që veprojnë në Gjermani ka edhe individë me shtetësi shqiptare.
E pyetur për kriminalitetin e shtetasve nga Shqipëria dhe nga Kosova në Gjermani, Ministria e Jashtme i referohet të dhënave të Entit Federal të Kriminalistikës, sipas të cilit për vitin 2017 krimet kryesore të bëra nga shtetasit shqiptarë kanë qenë krimet e pronës, të lëndëve narkotike dhe të trafikimit. E pyetur se a financohen aktivitete ekstremiste shqiptare nga krimi i organizuar, qeveria gjermane përgjigjet se nuk është në dijeni. Së fundi, deputetët e AfD-së pyesin se sa është shuma e ndihmave për të cilat do të ketë nevojë Shqipëria si anëtare e BE-së? Qeveria gjermane përgjigjet se kjo shumë mund të llogaritet vetëm kur Shqipëria t’i ketë përmbyllur me sukses të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit.
“Alternativa për Gjermaninë” zë vetëm 12,6 përqind të vendeve në Bundestag, por, për shkak të qeverisë së koalicionit të madh mes CDU/CSU dhe SPD, është partia kryesore e opozitës. E krijuar në vitin 2013, AfD është e përfaqësuar në të gjitha parlamentet e landeve. Ajo është e vetmja parti e Bundestagut gjerman që është kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Në tetor ajo doli me një propozim që në vend të perspektivës së anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor t’u ofrohet mundësia e krijimit të një Unioni të Ballkanit Perëndimor./abcnews.al