Kushi: Po merren masat për 1 shtator, nxënësit do vijnë për mësim plotësues

schedule12:48 - 21 Gusht, 2021

schedule 12:48 - 21 Gusht, 2021

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka vijuar me takime intensive me drejtues të zyrave vendore, drejtorive rajonale dhe përfaqësues të ministrisë, për të plotësuar çdo nevojë të mundshme të institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar.

Në një status në rrjete sociale Kushi ka publikuar momente të mbledhjes në mjedis virtual, në të cilat u diskutuan në detaje të gjitha çështjet e nevojshme, për të mirëpritur nxënësit në 1 shtator për mësim plotësues.

“Takim online me drejtuesit e zyrave vendore arsimore, për të marrë të gjitha masat e nevojshme që shkollat të jenë gati për të mirëpritur nxënësit në datë 1 shtator dhe që mësimi plotësues të realizohet me sukses”- shkruan Ministrja Kushi.

Mësimi plotësues që nis nga data 1 shtator 2021, nuk është bërë i detyrueshëm, por i rekomandueshëm, pasi jo në të gjitha shkollat është zhvilluar mësim në distancë apo online vitin e kaluar gjatë pandemisë.

Gjatë periudhës së pandemisë ka patur shumë shkolla të cilat e kanë zhvilluar mësimin me prezencë fizike. Ndërkohë që në 10 zonat e riskut mësimi është organizuar në distancë për rreth dy muaj. Për këtë arsye, mësimi plotësues është lënë në fleksibilitetin e çdo shkolle, për të hartuar programin specifik sipas nevojave të nxënësve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!