Ardian Mema largon presionin nga skuadra

schedule22:02 - 29 Nëntor, 2018

schedule 22:02 - 29 Nëntor, 2018

Trajneri i skuadrës së Tiranës, Ardian Mema largon presionin nga skuadra pasi tha në konferencë për shtyp se sfidën ndaj Partizanit e cilëson thjeshtë si ndeshjen e radhës.

Tirana-Partizani nuk është një duel që do të luhet në fushën e lojës, por edhe në pankina. Këtë të premte do të kenë një përballje të fortë dy trajnerët, Ardian Mema, i Tiranës dhe Skënder Gega i Partizanit.

Dy strategë që aktualisht janë në krye të skuadrave të tyre të zemrës.  Kreu i pankinës së bardhebluve, Ardian Mema, kërkon të largojë presionin nga skuadra pasi në konferencën për shtyp tha se ndaj Partizanit do të jetë thjeshtë ndeshja e radhës. Sa i përket skuadrës së tij, ai tha se lojtarët janë gati për këtë sprovë.

“Unë bashkë me lojtarët po them diçka që e konsideroj ndeshje radhe paçka se ka peshën e vet, por secili nga lojtarët duhet të bëjë ato detyra siç bën në çdo ndeshje. Besoj se vetë ambienti, historia e ndeshjeve e karikojnë ekipin”, tha ai.

Sa i përket faktit që tifozet ultras të Tiranës kanë bojkotuar takimin Mema la të kuptohej se mungesa e tyre nuk do të jetë e vogël.

“Ka qenë më shumë një spektakël në shkallët e stadiumit sesa një ndeshje e luajtur për mendimin tim. Tifozët kanë luajtur më bukur se futbollistët. Shpresoj që këtë ndeshje spektakli të jetë te fusha dhe jo te shkallët e stadiumit”, u shpreh ai.

Trajneri Mema tha se skuadra do të luajë në sulm pa u ndikuar nga mungesat e skuadrës kundërshtare.

“Duhet të veprojmë mirë para portës qoftë Albani aty apo ky portjeri tjetër. Ekipi duhet të jetë shumë i përqëndruar para portës”, përfundoi Mema./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!