“Kap çfarë të kapësh”, raporti i SHISH: Gjyqtarët në vetting po bëjnë “nderet” e fundit

schedule18:00 - 20 Gusht, 2021

schedule 18:00 - 20 Gusht, 2021

Shërbimi Informativ Shtetëror në raportin e publikuar për korrupsionin për vitin 2020 thekson se as pandemia nuk arriti që ta ndalte, ndërsa theksin e vendos te gjyqtarët dhe prokurorët që janë në proces vettingu. Në raport thuhet se elementë të veçantë të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të vettingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi.

“Edhe gjatë kësaj periudhe, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët. Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ.

Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të Vettingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi. Pastrimi i produktit të veprës penale, kontrabanda e mallrave të akcizës, evazioni fiskal dhe cenimi i sigurisë ushqimore, evidentohen si format më të përhapura të krimeve në ekonomi.

SHISH-i ndërvepron me agjencitë ligjzbatuese në funksion të bashkëpunimit ndërinstitucional, si pjesë e Komitetit Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar, lidhur me zbatimin e Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, si dhe në funksion të dhënies së mbështetjes informative për Operacionin Forca e Ligjit (OFL)” thuhet në raport.

Por cfarë ndodhi me grupet kriminale gjatë pandemisë, si vepruan në karantinë? SHISH zbulon se krimi ndryshoi strategji.

“Në kushtet e pandemisë COVID-19, grupet e përfshira në krimin e organizuar në përgjithësi dhe të narkotrafikut në veçanti, ndryshuan mënyrat e veprimit në raport me masat kufizuese, për të pasur akses te financimet e aktivitetit kriminal, drogat apo ngarkesat me lëndë narkotike.

Lidhur me kultivimin e bimëve narkotike, vërehet se raporti kërkesë-ofertë që ka ndikuar në rritjen e çmimit dhe se kërkesat e grupeve kriminale, të rajonit e me gjerë, për kanabis sativa të kultivuar në Shqipëri, vijuan të nxisin dhe favorizojnë përfshirjen e individëve e grupeve kriminale shqiptare në këtë aktivitet, si brenda dhe jashtë vendit. Nga sasitë e trafikuara të lëndës narkotike kanabis sativa, përkundrejt kultivimeve, kuptohet se ka ende në gjendje kanabis sativa të prodhimit të viteve të mëparshme, të fshehur në ambientet private të personave që posedojnë lëndë narkotike.

U evidentuan interesime dhe përpjekje të grupeve kriminale e individëve të përfshirë në këtë aktivitet antiligjor për përfshirje në kultivim të kanabis sativa. Për shkak të rritjes së masave anti kanabis në Shqipëri, vërehet prirja e kultivimit nga grupe e anëtarë të grupeve kriminale jashtë vendit në ambiente të mbyllura, ndërsa brenda vendit kultivimi u krye në zona të largëta, parcela të vogla dhe/ose ambiente të mbyllura, të përshtatura për këtë aktivitet, por edhe zhvendosje e këtij aktiviteti në vendet e rajonit.

Grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogave të forta jashtë vendit kanë vijuar aktivitetin duke ndryshuar metodat e veprimit varësisht situatës së kufizimeve, kanë shumëfishuar tipin e përfshirjes në kriminalitet, duke vazhduar përdorimin e sistemeve financiare për të fshehur financat e paligjshme dhe pastrimin e këtyre përfitimeve. Për shkak të mbylljes së kufijve ajrorë e tokësorë, anëtarët e grupeve kriminale tentuan rrugë të reja për të sjellë në Shqipëri të ardhurat e produktit kriminal.

Në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” evidentohet e njëjta formë ligjore e regjistrimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme dhe aktiviteteve ekonomike, kryesisht në emër të familjarëve apo të tretëve, lidhje të afërta bashkëpunuese familjare dhe shoqërore. Përtej formave klasike tashmë të konkretizuara mbi përdorimin e parave të gjeneruara nga veprimtaria e kundërligjshme, evidentohet se subjektet lëndorë të AN janë më të kujdesshëm në realizimin e fazës së integrimit të vlerave monetare në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Vijuan përpjekjet e subjekteve lëndorë për tjetërsimin “de jure” të titujve të pronësisë, te lidhje familjare apo lidhje të tyre shoqërore; nëpërmjet aktit të dhurimit; në disa “duar” nëpërmjet aktit të shitblerjes për t’u larguar nga origjinuesi; te bashkëshortët, duke zgjidhur më parë lidhjen martesore; me qëllim për të “shpëtuar” atë çfarë kanë “ndërtuar” me paratë e gjeneruara nga veprimtaria e kundërligjshme, duke synuar kamuflimin mbi qasjen e tyre para enteve publike e zyrtare, në funksion të mosgjurmueshmërisë, sekuestrimit e konfiskimit. Në të njëjtën mënyrë, është vepruar edhe me ndryshimet në aktivitetet ekonomike në zotërim të tyre” mbyllet raporti./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!