Greqia ka forcuar kufirin në Evros për të parandaluar një valë emigrantësh nga Afganistani. Sot në Evros ishte vetë ministri i Mbrojtjes Kombëtare Nikos Panagiotopoulos që deklaroi se kufijtë e Greqisë do të mbeten të sigurt dhe të paprekshëm.
Tregues i shqetësimit mbizotërues në Greqi është edhe fakti se kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të ketë një bisedë telefonike këtë mbrëmje në orën 19:30, me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në mënyrë që të diskutojë zhvillimet e fundit në Afganistan.
Erdogan po përpiqet të dërgojë një mesazh të trefishtë në Kabul, Uashington dhe Bruksel, në një përpjekje tjetër për të treguar se Ankaraja dëshiron dhe mund të luajë rolin e një fuqie të qëndrueshme rajonale.
“Turqia shtrin dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit ndaj regjimit taleban, ndërsa në të njëjtën kohë ri-informon Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin në përgjithësi se me një prani ushtarake ka aftësinë për të ndërhyrë në zhvillimet në Afganistan” shkruajnë mediat greke.
Në të njëjtën kohë, duke njoftuar masa të veçanta në kufirin juglindor, përfshirë ndërtimin e një muri, presidenti turk dëshiron të tregojë se po merr masa për të parandaluar rrjedhën e refugjatëve dhe emigrantëve./ Abcnews.al