Prej javësh nuk dilnin, në pranga 3 shqiptarë në Spanjë: Kujdeseshin për 2500 rrënjë kanabisi në një magazinë

schedule16:22 - 20 Gusht, 2021

schedule 16:22 - 20 Gusht, 2021

Tre shqiptarë janë vënë në pranga në Spanjë për një rast të kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të improvizuara. Mediat në vend bëjnë të ditur se të enjten, rreth orës 10:00 të mëngjesit policia ka zbuluar një magazinë të madhe në rajonin Segrià, e cila ishte përshtatur për të kultivuar kanabis.

Pas bastisjes së ambienteve, u sekuestruan  rreth 2,541 bimë marijuane në faza të ndryshme të rritjes. Ndërsa, në pranga ranë tre shqiptarët që ishin të moshës 22, 39 dhe 44-vjeçare. Tre të arrestuarit kishin krijuar një hapësirë ​ në papafingon e magazinës, dhe aty kanë jetuar për javë të tëra pa dalë fare jashtë ambienteve për të shmangur policinë.

Por, ata kishin rënë në “radarët” e policisë dhe prej disa muajsh vendi mbahej nën vëzhgim. Në momentin që policia ndërhyri për t’i arrestuar, ata tentuan të largoheshin nga çatia, por nuk mundën.

Ambientet ishin përshtatur me llamba, transformatorë, ventilatorë, nxjerrës dhe materiale fitosanitare për të nxitur rritjen e bimëve. Po ashtu, tre shqiptarët kishin mundur të ndërhynin edhe në sistemin e energjisë elektrike. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!