Nga Fawaz A.Gerges, Project Syndicate
Shumë njerëz po thonë tani se tërheqja me nxitim e trupave amerikane nga Afganistani, ishte një gabim i rëndë i presidenti amerikan Joe Biden. Për shembull, udhëheqësi i pakicës republikane në Senatina merikan, Mitch Mcconnell, e ka quajtur vënien e shpejtë nën kontroll të Afganistanit nga talebanët“një kapitullim edhe më poshtërues se ai i Saigonit në vitin 1975”.
Ndërkaq, gjeneralët kryesorë amerikanë, konservatorët, madje edhe disa liberalë parashikojnë se rënia e Afganistanit në duart e kësaj lëvizjeje radikale, do të karakterizohet nga ringjallja e terrorizmit transnacional. Parashikimi është i drejtpërdrejtë.
Si një grupim militant islamik, talebanët do t’i sigurojnë në mënyrë të pashmangshme Al-Kaedës dhe grupeve të tjera ekstremiste si Shteti Islamik (ISIS), një vend të sigurt për të rekrutuar, trajnuar dhe planifikuar sulme kundër Perëndimit.
Muajin e ardhshëm, paralajmëroi Mcconnell, Al-Kaeda dhe talebanët do të festojnë 20 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001duke e “djegur ambasadën amerikane
në Kabul”.Por në këtë vlerësim ka një të metë:ai supozon se nuk ka shumë dallim midis talebanëve dhe Al-Kaedës.
Në realitet, ndërsa të dyja grupimet ndajnë një ideologji dhe botëkuptim fetar të ngjashëm, ato kanë objektiva shumë të ndryshëm. Talebanët synojnë të krijojnë një teokraci, ose një Emirat Islamik në Afganistan, por nuk kanë shfaqur ambicie për t’u zgjeruar përtej kufijve të atij vendi.
Në të kundërt, Al-Kaeda nuk ka identitet kombëtar, dhe as nuk njeh kufij. Ajo është një lëvizje pa kufij, me degë në shumë vende të botës, dhe synon ta përhapë ideologjinë e saj afër dhe larg me çdo mjet, përfshirë dhunën.
Po ashtu vlen të theksohet se Al-Kaeda është një hije e vetes së saj të dikurshme. Sulmet e pamëshirshme amerikane e kanë degraduar ndjeshëm aftësinë e saj për të kryer sulme të mëdha kundër objektivave perëndimore nga Afganistani ose Pakistani.
Tani asaj i mungojnë aftësitë e nevojshme operacionale. Ndërkohë, xhihadizmi transnacional ishte fragmentuar përtej Afganistanit, në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në Afrikë dhe Azinë Jugore. Dikush mund ta kundërshtojë këtë qasje, me supozimin se me strehimin që i ofrojnë talebanët, Al-Kaeda mund të ri-ngrihet në Afganistan.
Kjo mundësi dhe kërcënimi i sigurisë që paraqet për Perëndimin, nuk duhet përjashtuar.
Por, tani për tani, grupit i mungon lidershipi karizmatik dhe kuadrot e aftë që do t’i duheshin për të ringritur dhe riaktivizuar radhët e tij. Nuk është as e qartë nëse Ayman al-Zawahiri, udhëheqësi aktual i Al Kaedës dhe një figurë përçarëse është apo jo gjallë.
Më e rëndësishmja:talebanët nuk kanë gjasa që ta lejojnë menjëherë Al-Kaedën të krijojë baza të reja në vend. Në bisedimet e shkurtit të vitit të kaluar me administratën e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump në Doha të Katarit, ata e premtuan këtë gjë, duke deklaruar se nuk do të lejonin që Al-Kaeda apo militantë të tjerë të vepronin në zonat që kontrollonin.
Dhe ky nuk ishte thjesht një qetësim formal i armikut. Talebanët po përshkruanin një kurs veprimi që ishte dhe mbetet në fakt në interesin e tyre. Gjatë vitit të kaluar, ata kanë ndjekur një kurs diplomatik interesash, duke biseduar me armiqtë e tyre më të mëdhenj, përfshirë amerikanët, rusët dhe iranianët.
Ata duan që të forcojnë kontrollin e tyre mbi Afganistanin, dhe të fitojnë njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar. Strehimi i Al-Kaedës nuk do t’i çonte përpara këto objektiva. Përkundrazi, ishte sulmi i Al-Kaedës ndaj Shteteve të Bashkuara më 11 Shtator 2001, ai që solli rrëzimin e talebanëve nga pushteti.
Ata mund të jenë sërish në pushtet, por për këtë u desh të kalonin 20 vjet, dhe ata nuk janë gati të rrezikojnë atë që sapo kanë fituar. Por nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ndërsa fitorja ushtarake mbresëlënëse e talebanëve nënkupton praninë e disiplinës dhe koherencës, lëvizja nuk është politikisht monolite.
Përkundrazi, ajo përfshin fraksione dhe klane konkurruese. Pra, ekziston gjithmonë rreziku që disa elementë të talebanëve të lidhen me Al-Kaedën dhe grupet e tjera radikale në Pakistan. Për këtë ekziston një precedent. Në fundin e viteve 1990, shumica e Këshillit Konsultativ Taleban (organi i tij ekzekutiv) votoi për dëbimin e Al-Kaedës dhe udhëheqësit të saj të atëhershëm, Osama bin Laden, nga Afganistani, në përgjigje të presionit ndërkombëtar.
Kreu i lëvizjes, Mullah Omar, vendosi të lejojë qëndrimin e Bin Ladenit në vend, me kushtin që ai të hiqte dorë nga sulmet nga Afganistani. Siç e pa e gjithë bota më 11 Shtator, sauditi dinak e bëri mikpritësin e tij afgan të dukej si një budalla.
Pra, ndërsa talebanët nuk ka gjasa të mirëpresin krahë-hapur Al-Kaedën, grupi terrorist ka disa mundësi të përfitojë gjithsesi nga rikthimi i talebanëve në pushtet. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për ISIS-in, të cilin talebanët e kundërshtojnë shumë fort.
Në fakt, talebanët kanë zhvilluar një luftë kundër ISIS në zonat e kontrolluara prej tij, për të neutralizuar çdo kërcënim të mundshëm ndaj dominimit të tij në vend. Bota nuk duhet të injorojë rrezikun që Afganistani mund të shndërrohet në një terren pjellor për terrorizmin ndërkombëtar.
Por as nuk duhet të fiksohet pas kësaj perspektive, e cila është shumë më pak e mundshme nga sa besojnë shumë njerëz, dhe duket se neglizhon katastrofën humanitare që po shpaloset para syve tanë.
Imazhet e afganëve të dëshpëruar që tentojnë të largohen me avion nga Kabuli,apo historitë e grave që detyrohen të largohen nga puna e tyre -apo më keq – nga luftëtarët talebanë, e bëjnë të qartë se SHBA dhe aleatët e saj e kanë braktisur popullin e Afganistanit, duke i lënë ata në mëshirë e lëvizjes brutale dhe represive.
Lufta 20-vjeçare e SHBA-së kundër terrorizmi, është katastrofa më e madhe strategjike në historinë moderne të këtij vendi. Ajo nuk duhej të ishte zhvilluar kurrë. Dhe ndërsa SHBA ka vendosur të pakësojë humbjet e saj, afganët do të vazhdojnë të paguajnë një kosto gjithnjë e më të lartë për këtë luftë.
Shënim: Fawaz A.Gerges, është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër. Ai është autor i librit “Lufta e ardhshme Njëqind Vjeçare për Kontrollin e Lindjes së Mesme”./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al


