Shërbimi Informativ Shtetëror ka publikuar një raport mbi situatën që kaloi Shqipëria në vitin 2020, që ishte i dominuar nga pandemia.
Po çfarë ndodhi gjatë vitit të kaluar, si ishte ekspozimi i Shqipërisë përballë influencës së vendeve jo-mike dhe si u shfrytëzua situata nga hakerat dhe ekstremistët?
SHISH thekson se agjentë të huaj kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 për të grumbulluar informacione në Shqipëri.
“Pandemia COVID-19 dëshmoi se si një situatë me vëmendje kaq të madhe publike e ndërkombëtare mund të përdoret nga aktorët kibernetikë shtetërorë dhe jo-shtetërorë për spiunazh kibernetik, aktivitete infuencuese dhe krim kibernetik.
Aktivitetet online, shtetërore dhe jo-shtetërore, u përdoren edhe nga aktorët shtetërorë dhe krimi kibernetik si vektorë të rinj sulmi, për të arritur synimet e tyre. Risku i sulmeve kibernetike ndaj institucioneve në sektorët shëndetësorë, bankarë, të telekomunikimit dhe entiteteve politike vendimmarrëse, u rrit ndjeshëm.
Pjesë nga raporti i SHISH
Aktorët kibernetikë shtetërorë e jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 edhe për të grumbulluar inteligjencë, me synim influencimin e opinionit publik sipas interesave të tyre. Shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve u angazhuan në operacione informative, grumbullim informacioni për synime konkurruese gjeostrategjike” thuhet në raport.
Por cili ishte fokusi i agjentëve të huaj në Shqipëri? SHISH shprehet se theksi ka qenë te propaganda, për të ulur efektshmërinë e masave anti-covid me qëllim për të bërë vendin më vulnerabil, ndërsa kjo strategji po përdoret edhe për vaksinat.
“Objektivat kryesore të operacioneve informative të këtyre aktorëve janë nxitja dhe amplifikimi i ndasive politike, sociale, etnike, fetare; minimi gradual i besimit në proceset, në sistemin demokratik, institucionet kombëtare e ndërkombëtare; përçarja e kohezionit kombëtar dhe midis vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së; manipulimi i perceptimit publik mbi to dhe paraqitja e modeleve të tyre qeverisëse si të suksesshme në menaxhimin e situatës në raport me shtetet perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare.
Pjesë nga raporti i SHISH
Teoritë e konspiracionit përdoren për këtë synim, edhe për shkak se “janë tërheqëse” për ndjekësit në rrjetet sociale, duke ndikuar në uljen apo dobësimin e perceptimit publik në sistemet demokratike. Lëvizjet populise, por edhe ato civile antivaksinë, mund të përdorin situatën për të zgjeruar mbështetësit e tyre dhe për t’u faktorizuar më pas në shoqëri dhe skenën politike, duke çuar përpara agjendat e tyre” thuhet ndër të tjera në raport./ Abcnews.al