Nga George Soros “The Wall Street Journal”
Sundimtari aktual i Kinës, Xi Jinping,po vuan nga disa mospërputhje të brendshme të cilat po e zbehin shumë kohezionin dhe efektivitetin e udhëheqjes së tij. Në fakt ekziston një konflikt i dukshëm midis besimeve dhe veprimeve të tij, midis deklaratave të tij publike sipas së cilave ai synon ta shndërrojë Kinën në një superfuqi, dhe sjelljes së tij si një sundimtar në Kinë.
Këto kontradikta të brendshme, janë shfaqur në kontekstin e konfliktit në rritje midis SHBA-së dhe Kinës. Në zemër të këtij konflikti është realiteti se dy vendet përfaqësojnë sisteme të qeverisjes që janë diametralisht të kundërta. SHBA bazohet tek një shoqëri demokratike, e hapur, në të cilën roli i qeverisë është të mbrojë lirinë e individit.
Ndërkohë Xi beson se Mao shpiku një formë superiore të organizimit shtetëror, të cilën ai po e vazhdon tani:një shoqëri të mbyllur totalitare, në të cilën individi është i nënshtruar ndaj shtetit njëpartiak. Ky sistem është më superior, mendon ai, pasi është më i disiplinuar, më i fortë dhe për këtë arsye i destinuar të dominojë në një garë.
Marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së po përkeqësohen me shpejtësi, dhe mund të degradojnë në luftë. Zoti Xi e ka bërë të qartë se ai synon të aneksojë Tajvanin brenda dekadës së ardhshme, dhe për këtë qëllim po e zgjeron kapacitetin ushtarak të Kinës.
Por ndërkohë, ai do të përballet me një pengesë të rëndësishme të brendshme në vitin 2022, kur të synojë të shkelë praktikën e trashëgimisë periodike të pushtetit, për të mbetur përjetë president.
Ai mendon se i duhet të paktën edhe një dekadë tjetër për të përqendruar në duart e tij të gjithëfuqinë e shtetit njëpartiak dhe ushtrisë kineze. Xi e di se plani i tij ka shumë armiq,ndaj dëshiron të sigurohet që këta të fundit të mos kenë aftësinë që t’i rezistojnë ambicieve të tij.
Në këtë sfond duket se po shpalosen trazirat aktuale në tregjet financiare, duke i kapur shumë njerëz në befasi dhe duke i lënë ata të hutuar. Konfuzioni vetëm sa ka shtuar kaosin. Edhe pse nuk jam më i angazhuar në tregjet financiare, dikur kam qenë një pjesëmarrës aktiv.
Po ashtu unë gjithashtu kam qenë i angazhuar në mënyrë aktive në Kinë që prej vitit 1984, kur i njoha reformatorët e Partisë Komuniste në Kinë me homologët e tyre në Hungari, vendlindjen time. Ata mësuan shumë nga njëri -tjetri, dhe unë ngrita fondacione në të dy vendet.
Ai ishte fillimi i karrierës sime në atë që unë e quaj filantropi politike. Fondacioni im në Kinë ishte unik në pasjen e një pavarësie pothuajse totale. E mbylla në vitin 1989, kur mësova se kishte rënë nën kontrollin e qeverisë kineze, dhe pak para masakrës së Sheshit Tiananmen. Unë rifillova angazhimin tim aktiv në Kinë në vitin 2013 kur zoti Xi u bë sundimtari i vendit, por këtë herë si një kundërshtar i hapur i atij që është bërë një regjim totalitar. Unë e konsideroj zotin Xi armikun më të rrezikshëm të shoqërive të hapura në botë.
Populli kinez është në tërësi ndër viktimat e këtij regjimi, por kundërshtarët politikë të brendshëm dhe pakicat fetare dhe etnike, po vuajnë shumë më tepër nga persekutimi i tij. Mua me duket shumë shqetësues fakti që kaq shumë kinezë duket se e cilësojnë jo vetëm të tolerueshëm, por edhe tërheqës sistemin e mbikëqyrjes së krediteve sociale.
Ky sistem u siguron atyre shërbime sociale falas, dhe u tregon se si të qëndrojnë larg telasheve, duke mos thënë asgjë kritike për zotin Xi apo regjimin e tij. Nëse ai do të mundet të përsosë sistemin e kreditove sociale,dhe të sigurojë një standard jetese në rritje të vazhdueshme, regjimi i tij do të bëhej shumë më i sigurt në vetvete.
Por në fakt ai do të hasë vështirësi në të dyja pikat. Për të kuptuar arsyen, është i nevojshëm pak sfond historik. Xi erdhi në pushtet në vitin 2013. Ai ishte përfituesi i axhendës së guximshme të reformave të paraardhësit të tij Deng Xiaoping, që kishte një koncept shumë të ndryshëm për vendin e Kinës në botë.
Deng kuptoi se Perëndimi ishte shumë më i zhvilluar, dhe se Kina kishte shumë për të mësuar prej tij. Larg nga të qenit diametralisht i kundërt me sistemin global të dominuar nga Perëndimi, Deng donte që Kina të ngrihej brenda tij. Qasja e tij solli mrekullinë.
Kina u pranua si anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë në vitin 2001, me privilegjet që vijnë me statusin e një vendi më pak të zhvilluar. Ajo hyri në periudhën e një rritjeje ekonomike të paparë. Madje ajo u përball më mirë se sa bota e zhvilluar me krizën financiare globale të viteve 2007-2008.
Xi nuk arriti ta kuptonte se si Deng e arriti suksesin e tij. Madje ushqeu një pakënaqësi të fortë personale kundër tij. Ai e cilësoi Deng Xiaoping përgjegjës për mos-nderimin e babait të tij, Xi Zhongxun, dhe për largimin e këtij të fundit nga Byroja Politike në vitin 1962.
Për pasojë, Xi Jinping u rrit në fshat në rrethana shumë të vështira. Ai nuk mori arsimimin e duhur, nuk shkoi asnjëherë jashtë vendit dhe kurrë nuk mësoi dot një gjuhë të huaj. Xi Jinping ia kushtoi jetën e tij zhdukjes së ndikimit të Deng në zhvillimin e Kinës.
Armiqësia e tij personale ndaj Deng ka luajtur një rol të madh. Por faktorë të tjerë janë po aq të rëndësishëm. Ai është shumë nacionalist, dhe dëshiron që Kina të bëhet fuqia dominuese në botë. Po ashtu, është i bindur se Partia Komuniste Kineze duhet të jetë një parti leniniste, e gatshme të përdorë fuqinë e saj politike dhe ushtarake për të imponuar vullnetin e saj.
Ai nuk e di se si funksionojnë tregjet financiare, por ka një ide mjaft të qartë se çfarë duhet të bëjë në vitin 2022 për të qëndruar në pushtet. Ai synon që të kapërcejë kufizimet e mandatit të tij të vendosur nga Deng, të cilat përcaktuan trashëgimin e dy paraardhësve të zotit Xi,
Hu Jintao dhe Jiang Zemin. Meqë shumë njerëz nga klasa politike dhe elita e biznesit janë të detyruar t’i kundërvihen, ai duhet të pengojë bashkimin e tyre kundër tij. Ndaj detyra e tij e kryesore është të gjunjëzojë cilindo që është mjaftueshëm i pasur për të qenë i pavarur.
Kjo ka ndodhur vitin e kaluar, dhe ka arritur kulmin javët e fundit. Nisi me masat kundër kompanisë “Alibaba” në nëntor 2020, që sollën zhdukjen e përkohshme nga skena publike të kreut të saj, Jack Ma.
Pastaj erdhën masat disiplinore kundër Didi Chuxing në qershor 2021,dhe arriti kulmin me dëbimin e 3 kompanive të financuara nga SHBA, lëvizje që patën një efekt shumë më të madh në tregjet ndërkombëtare sesa priste zoti Xi. Autoritetet financiare kineze janë përpjekur të sigurojnë tregjet, por pa shumë sukses.
Ndërkohë Xi është i përfshirë në një fushatë sistematike për të shkatërruar njerëzit që kanë grumbulluar pasuri. Viktima e tij e fundit është Sun Dawu, një miliarder që zotëron shumë ferma të mbarështimit të derrave. Sun është dënuar me 18 vjet burg, dhe është bindur të “dhurojë” për bamirësi pjesën më të madhe të pasurisë së tij.
Kjo fushatë kërcënon të rrezikojë ekonominë kineze. Xi është i vendosur të vendosë nën kontrollin e shtetit njëpartiak krijuesit e pasurisë. Ai ka rivendosur një strukturë të menaxhimit të dyfishtë në kompanive të mëdha private. Kompania më e madhe e Kinës në fushën e pasurive të paluajtshme, Evergrande, ka hasur kohët e fundit vështirësi në shërbimin e borxhit të saj.
Kompania shtetërore Sinopharm prodhoi një vaksinë kundër Covid-19, e cila është eksportuar gjerësisht në të gjithë botën, por performanca e saj është inferiore ndaj të gjitha vaksinave të tjera të tregtuara gjerësisht. Sinopharm nuk do të fitojë asnjë mik për Kinën.
Për të dominuar edhe pas vitit 2022, Xi e ka kthyer veten në një diktator. Në vend se ta lejojë partinë që t’i tregojë atij se cilat politika duhet të miratojë, dikton politikat që ai dëshiron që ajo të ndjekë.
Por ai do ta ketë të vështirë t’i përshtatë politikat e tij me një realitet në ndryshim, për shkak se po sundon përmes frikësimit. Nëpunësit e tij kanë frikë t’i tregojnë se si ka ndryshuar realiteti nga frika se mos shkaktojnë zemërimin e tij. Kjo dinamikë rrezikon të ardhmen e shtetit njëpartiak të Kinës.
*Shënim: George Soros, është themeluesi i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur.