Bashkimi Evropian i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal. Kështu është shprehur zëdhënësja e Unionit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero për Gazetën Express lidhur me idenë e “Open Balkan”.
Sipas, Express, Pisonero ka rikujtuar gjithashtu ka rikujtuar zotimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal
“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.
Po ashtu, Pisonero është shprehur se BE është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.
“Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së.”
Se iniciativat për bashkëpunim rajonal kanë përfitime është shprehur edhe Qeveria Federale e Gjermanisë. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Kosova duhet të jetë më mendjehapur karshi iniciativave rajonale. /abcnews.al/