Beogradi fillon kundërpërgjigjen ndaj vendimit të Prishtinës për taksën 100%, duke nisur nga veriu i Kosovës. Katër kryetarë të komunave me shumicë serbe kanë dhënë dorëheqjen. Ndërsa në Gjykatën e Mitrovicës është pezulluar puna pasi nënpunësit serbë kanë bojkotuar aktivitetin.
Në shenjë revolte për taksën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria kosovare për produktet serbe dhe boshnjake, katër kryetarë të komunave me shumicë serbe kanë dhënë dorëheqje. Bëhet fjalë për komunën e Mitrovicës së Veriut, Zubin-Potok, Leposavic dhe Zveçan. Lajmi është konfirmuar edhe nga kryetari i Listës Serbe në një seancë të jashtëzakonshme që u mbajt në veri të Mitrovicës. Serbët nënshkruan edhe një rezolutë sipas të cilës kërkohet ndërprerja e të gjitha kontakteve me Prishtinën zyrtare.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë, në këto komuna do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme e kryetari i ri do të zgjidhet brenda 40 ditëve. Kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Valdete Daka, tha për Express se proceduralisht shkohet në këtë mënyrë, edhe pse deri tani nuk është lajmëruar për këtë veprim të këtyre kryetarëve me shkresë zyrtare që të vazhdohet me hapat e ardhshëm. Por, sipas rezolutës së serbëve, edhe nëse komuna mbetet pa udhëheqës dhe shpallen zgjedhjet, ata do t’i bojkotojnë dhe nuk do të zgjidhen nga institucionet kosovare. Në këtë mënyrë katër komunat do të jenë të bllokuara.
Gjithashtu Gjykata Themelore e Mitrovicës konfirmoi se punonjësit serbë kanë vendosur ta bojkotojnë punën. Gjatë ditës protestues serbë u mblodhën gjenden para stacionit të Policisë dhe Gjykatës. Qytetarët serbë në Veri protestuan kundër vendimit të Qeverisë kosovare për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Protesta u drejtua nga zyrtarë të Listës Srpska. I pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo./abcnews.al