Çfarë mësuam këto javë për COVID-in?

schedule07:31 - 12 Gusht, 2021

schedule 07:31 - 12 Gusht, 2021

COVID-i pa simptoma, shumë i përhapur

Afërsisht një e treta e njerëzve me COVID-19 nuk kanë simptoma, sipas një analize të të dhënave nga më shumë se 350 studime të publikuara deri në prill 2021. Rastet pa simptoma vëreheshin më tepër tek fëmijët sesa tek të moshuarit ose tek njerëzit pa probleme ekzistuese shëndetësore, tha Pratha Sah e Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin Yale, e cila drejtoi analizën e botuar të martën në revistën e departamentit të mjekësisë të universiteti.

Ekipi i saj përllogarit se 46.7% e fëmijëve dhe të rinjve të infektuar nuk kanë simptoma, tha ajo. “Kjo është veçanërisht shqetësuese sepse të rinjtë kanë tendencën të mblidhen në grupe më të mëdha, në distancë më të vogël fizike gjatë shoqërimit me moshatarët, gjë që krijon kushtet për rrethana super-ngjitëse të virusit, por ku përhapja mund të mos diktohet në kohë në mjedise shkollore,” pasi kjo grupmoshë nuk shfaq simptoma në shumicën e rasteve.

Autorja e analizës Alison Galvani, gjithashtu e Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin Yale, vuri në dukje se individët asimptomatikë mund të vazhdojnë ta përhapin virusin megjithëse vetë nuk i ndjejnë pasojat.

Operacioni për humbje peshe lidhet me rezultate më të mira përballë COVID-19

Operacioni që bëjnë individë obezë për të humbur peshë mund të ketë një efekt mbrojtës kundër goditjes së rëndë nga COVID-19, sipas analizës së të dhënave të mbledhura në një spital të Nju Jorkut. Mjekët atje analizuan kartelat e 620 pacientëve me COVID-19, përfshirë 130 të cilët më parë kishin bërë të ashtuquajturit operacionet bariatrike për të trajtuar obezitetin dhe një grup me 496 pacientë me moshë dhe gjini të ngjashme që nuk e kishin bërë operacionin.

Krahasuar me grupin që nuk kishte bërë ndërhyrje kundër obezitetit, pacientët që i ishin nënshtruar operacionit bariatrik, ose bajpasit gastrik, kishin më pak gjasa të shtroheshin në spital, apo të kishin nevojë për respirator nëse prekeshin nga COVID-19.

Po ashtu ata kishin përqindje më të ulëta vdekshmërie dhe më pak të ngjarë të kishin nevojë për një ventilator për frymëmarrje, edhe pse shumë prej tyre ende ishin obezë se nuk e kishin humbur akoma peshën e tepërt.

Studiuesit theksojnë se nuk është vërtetuar një lidhje shkak-pasojë mes këtij operacioni dhe rezultateve më të mira në betejën me COVID-in, por shtojnë se ky studim thekson rrezikun e shtuar që ndeshin personat mbipeshë kur infektohen me koronavirus.

Pirja e duhanit mund të pengojë efektin e vaksinave mARN

Ata që pinë duhan mund të jenë në rrezik të mos marrin reagimin e duhur të sistemit imunitar nga vaksinat kundër COVID-19, thonë studiuesit japonezë. Ata shtojnë se duhen bërë studime të mëtejshme për ta konfirmuar këtë hipotezë. Në një studim paraprak me 378 punonjës të shëndetësisë mosha 32-54 vjeç, shkencëtarët morën mostra gjaku dhe analizuan nivelet e antitrupave mbrojtës të krijuar si reagim ndaj vaksinës mARN si ajo e kompanisë Pfizer apo BioNTech.Personat më në moshë kishin reagim më të ulët imunitar.

Pasi u eliminuan nga krahasimi personat më në moshë u vërejt se faktorë të tjerë ndikues ishin gjinia dhe pirja e duhanit. Meshkujt kishin reagim imunitar më të ulët. Studiuesit mendojnë se edhe në këtë rast, shkaktar ishte duhani, pasi meshkujt pinë gati dy herë më shumë duhan se femrat.

Dëme mikroskopike të mushkërive mund të vazhdojnë pas ‘COVID-it të gjatë’

Probleme të vazhdueshme të frymëmarrjes që pllakosin disa persona pasi kalojnë COVID-19, –një fenomen i njohur si “COVID i gjatë”, mund të jenë për shkak të proceseve mikroskopike që vazhdojnë të dëmtojnë mushkëritë edhe pasi është pastruar infeksioni akut, lënë të besohet disa hulumtime të reja. Studiuesit analizuan qelizat e gjakut dhe sistemit të frymëmarrjes nga 38 pacientë që kishin ende probleme me frymëmarrjen të paktën tre muaj pasi kishin dalë nga spitali.

Krahasuar me individë të shëndetshëm të përfshirë në studim, ata që kishin kaluar “COVID-in e gjatë” kishin një numër më të madh qelizash imunitare mbrojtëse, të cilat luftojnë sëmundjet por mund të sulmojnë edhe vetë organizmin.

Ata gjithashtu kishin nivele më të larta proteinash që vërehen kur po ndodh vdekja e qelizave dhe riparimi i indeve. Gjetjet, të cilat duhet të konfirmohen në studime në shkallë të gjerë, çojnë në përfundimin se disa pacientë kanë shqetësime të vazhdueshme në qelizat imunitare si dhe dëmtim të indit që vesh rrugët e frymëmarrjes edhe disa muaj pas infektimit dhe më pas shërimit nga COVID-I, tha James Harker i Kolegjit Imperial në Londër. Zoti Harker është bashkautor i një raporti të botuar kohët e fundit. “Në një grup të vogël pacientësh jemi në gjendje të shohim se anomalitë normalizohen me kalimin e një kohe më të gjatë,” thotë zoti Harker./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!