Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës e Shqipërisë të ulin tensionet dhe të punojnë sëbashku.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli thotë se pa ndonjë pretendim politik apo preferencë për dikë, e sheh të nevojshme që të ftojë përfaqësuesit e të dyja vendeve që të bashkohen, në kohën kur mbështetja për Kosovën nga Shqipëria është mëse e nevojshme.
Ai thotë se për këto ‘rivalitete personale’, krerët e shteteve nuk duhet të ndërmarrin veprime që e dëmtojnë Kosovën.
Reagimi i Pacollit vjen pas debatit për “Open Ballkan” dhe performimin e këngëtarit serb Goran Bregoviç në Korçë. Gjithashtu komenti i tij vjen edhe pas reagimit të kryeministrit Edi Rama për këto çështje.
Postimi i plotë:
“Pa pretendime politike, mbështetje, kritikë apo preferencë ndaj askujt, e kam më se të nevojshme të ftoj përfaqësuesit e institucioneve të dy vendeve tona (Shqipërisë dhe Kosovës) që të ulin tensionet, të lënë mënjanë inatet dhe teket dhe interesat personale dhe të fillojnë të punojnë së bashku e të harmonizojnë dhe koordinojnë të gjitha veprimet politike, në një kohë kur mbështetja për Kosovën nga Shqipëria, është më se e nevojshme.
Unë besoj se për shkak të “rivaliteteve personale” krerët e shteteve nuk duhet të ndërmarrin asnjë veprim që mund ta dëmtojë Kosovën ose ta privojnë atë nga rrugëtimi i saj, veçanërisht kur ajo gjindet në “udhëkryqin e madh”.
Çdo pretendim për të “sfiduar rivalin” midis udhëheqësve politikë të Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte një humbje për Kosovën e jo për Shqipërinë, pasi është e qartë se Shqipëria është në një pozitë më të fortë se Kosova, duke filluar me faktin se Shqipëria është një shtet, de facto dhe de jure, anëtare e të gjitha organizatave botërore dhe e njohur nga e gjithë bota, me një traditë të gjatë politike, është ekonomikisht më e fortë, ka shumë më tepër burime natyrore sesa Kosova dhe qëndron gjithashtu fakti i padiskutueshme që çdo ditë Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në Rajon dhe më gjerë.
Prandaj, politikanët e Kosovës duhet menjeherë të fillojnë e të veprojnë me kolegët e tyre ne Shqipëri bashkatishtë, pa arrogancë dhe emocione të harmonizojnë veprimet e tyre, gjithmonë në interes të qytetarëve e sidomos të Shtet- dertimit të Kosovës. …
Nuk ka asnjë Shqipëtar apo përfaqësues politik shqiptar që nuk e do Kosovën!”.
g.v/abcnews.al