Bajerni i Mynihut në krizë të plotë në Bundesligë

schedule08:29 - 26 Nëntor, 2018

schedule 08:29 - 26 Nëntor, 2018

Bajerni i Mynihut është në krizë të thellë pas rezultateve negative në Bundesligë. Titulli kampion duket larg, ndërsa trajneri Niko Kovaç rrezikon shkarkimin.

Pasi prej tyre e pësoi Gjermania, tani po e pëson edhe skuadra e klubit. Yjet e Bajernit e thelluan edhe më shumë krizën me barazimin në shtëpi ndaj Fortunës së Dyseldorfit, duke mbetur edhe më prapa Dortmundit kryesues. Nuk u mjaftoi epërsia 2-0 apo 3-1, por në përfundim iu imponua rezultati 3-3 nga një kundërshtar që mund të thuhet se po lufton për të mbijetuar në Bundesligë. Kriza duket se është e bazës së skuadrës, e lojtarëve të tillë si Nojer, Humels, Boateng, Kimih, Tomas Myler apo Vagner. Ishin këta që pësuan disfatë në Kupën e Botës me trajnerin Joakim Lëv, dhe janë po këta që po turpërohen nën drejtimin e teknikut të Bajernit, Niko Kovaç.
Diferenca me Dortmundin është 9 pikë, kur janë luajtur vetëm 12 ndeshje në kampionat.

Dëmtimet, ngopja dhe gjendja e tyre fizike e psikologjike po e bëjnë të pamundur që Bajerni të ketë një lojë të vetën, dhe që të pretendojë për të mbrojtur titullin.
Bashkë me ta, në skuadër janë edhe veteranët e “stazhionuar” Riberi e Roben, një Levandovski që donte me patjetër të shkonte tek Reali, si dhe disa yje të dëmtuar si Koman apo Tiago Alkantara. Trajneri Niko Kovaç ishte tepër i nervozuar në përfundim.

“Nuk di nëse ka ndonjë fjalë më të fortë sesa “i zemëruar”, – tha kroati, – Të mendosh se ne e kishim ndeshjen në dorë, dhe ishim në avantazh gjatë gjithë kohës. Nuk e kuptoj sesi mund të humben rastet për gol që patëm, por sidoqoftë, mënyra sesi pësuam golat ishte edhe më e keqe”.

Çfarë do të ndodhë me Kovaçin? Nuk është e lehtë për drejtuesit bavarezë që të shkarkojnë kroatin, ashtu siç bënë me Karlo Ançelotin vitin e kaluar, por gjithsesi, presidenti Uli Hënes nuk e përjashtoi përgjegjësinë e trajnerit.

“Nuk mund të them tani nëse Niko Kovaç ka dështuar, – ishin fjalët e tij, – nuk ka qenë kurrë në natyrën e Bajernit që të nxitohet. Gjithsesi, unë nuk mund të përjashtoj asgjë, kur ne të përfundojmë analizën tone. Kemi nevojë të bëjmë biseda të brendshme dhe të kuptojmë se ku i kemi problemet”.

Bajerni është në vendin e 5-të në Bundesligë, me 21 pikë, ndërsa Borusia e Dortmundit kryeson me 30 pikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!