Është ngrohja globale o idiot! Zjarret, i nxehti dhe përmbytjet pushtojnë planetin

schedule12:59 - 9 Gusht, 2021

schedule 12:59 - 9 Gusht, 2021

Zjarret dhe valët e nxehtësisë kanë pushtuar Europën Jugore, ndërsa përmbytjet pjesën veriore. Ndërsa shumica janë të dyzuar për arsyet e shpërthimit të zjarreve apo përmbytjeve kudo në botë, shkencëtarët pohojnë se shkaku është ndryshimi i klimës.

Shumica nuk kanë marrë parasysh thirrjet me vite rreth ndryshimit të klimës, madje disa e kanë cilësuar si shaka, si një kërcënim i dobët dhe pabaza. Në fund të fundit, kjo nuk është hera e parë që klima e planetit ka ndryshuar, pasi ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Por më një ndryshim, kërcënimi për një botë të tillë të “ shkatërruar” nga flakët dhe përmbytjet” dukej i largët. Pavarësisht nëse shkencëtarët dhanë alarmin, apo treguan prova e raporte në lidhje me ndryshimet klimatike me të cilat po hasej bota askush nuk i mori seriozisht paralajmërimet.

Disa video nga Arktiku që tregojnë një ari polar që përpiqet të qëndrojë në një pjesë akulli ndërsa shkrihet pati reagime të shumta por të përkohshme. Kjo  zgjati derisa dikush mbylli ekranin e kompjuterit. Menjëherë pas kësaj,  shumica u rikthyen në normalitet.

Nuk kishte depërtuar aspak  në ndërgjegjen e publikut. Në vend të kësaj, dukej se po shqetësonte vetëm shkencëtarët dhe po kthehej në një konflikt midis tyre dhe shteteve. Qeveritë nuk po dëgjojnë shkencëtarët, shumë vende po i përmbushin detyrimet e tyre kontraktuale, dhe vetë SHBA nën presidencën e Trump u tërhoq nga Konventa e Parisit për Klimën.

Por tani ky normalitet po bëhet distopian. Greqia po digjet. Vendi është kthyer në një front të zjarrtë. Tymi i zi ka mbuluar qiellin në shumë zona. Dikush mezi merr frymë. Zona të mëdha pyjore në zonat periferike të Atikës janë djegur dhe së bashku me gjelbërimin janë bërë hi edhe shumë prona, raporton abcnews.al

Vatrat e zjarrit e bëjnë punën e zjarrfikësve më të vështirë. Vala e nxehtësisë krijoi kushtet për përhapjen e  zjarreve të mëdhenj pavarësisht mungesës së erërave të forta. Vala e tretë radhazi dhe e zgjatur e nxehtësisë këtë verë është përshkruar nga meteorologët si “historike”, pasi është një nga fenomenet e motit më intensiv gjatë tre dekadave të fundit.

Temperaturat arritën dhe tejkaluan 45 gradë Celsius. Temperaturat e larta dhe mungesa e lagështirës lehtësuan përhapjen e zjarreve dhe në disa raste mund ta kenë shkaktuar atë. Greqia nuk bëri përjashtim. Fenomenet  ekstreme të motit u vunë re në pellgun e Mesdheut, i cili po vuan nga temperaturat e larta dhe zjarret.

Turqia u përball me një valë të paimagjinueshme të nxehtësisë dhe zjarre të shumta shkatërruese. Italia, kryesisht Sardenja dhe Sicilia, po luftojnë me flakët. NASA ka publikuar imazhe që përshkruajnë zjarret në të gjithë botën: nga Mesdheu Lindor në gjysmën e Amerikës së Jugut dhe nga Afrika Qendrore në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Kinë dhe Indonezi.

Zjarr edhe në pyllin verior të Siberisë! Ky është një fenomen i jashtëzakonshëm në vitet e fundit që shumica dërrmuese e shkencëtarëve ia atribuojnë  ndryshimit të klimës.

Veriu dhe Jugu

Sipas ekspertëve, Europa, dhe në veçanti pjesa jugore e Europës, është më e prekura nga ngrohja globale.  Studimet e fundit sugjerojnë se për shkak të këtij fakti, ndryshimi i klimës jo vetëm që do të godasë Europën si një zonë gjeografike, por do të shkaktojë dhe zgjerojë përçarjet politike brenda BE -së.

Parashikohet që pjesa e veriore e Europës tani e tutje do të preket nga përmbytje gjithnjë e më të mëdha, të tilla si ato të përjetuara nga Gjermani, Francë dhe Belgjikë. Në jug, megjithatë, efektet do të jenë më të këqija, me thatësira, mungesë uji, valë të nxehtit në qendrat urbane dhe rënie të prodhimit bujqësor.

Kjo do të ngarkojë ekonominë tashmë të brishtë në pjesën jugore të Europës. Ndryshimi i klimës, tashmë nuk është vetëm një paralajmërim por  ka ndodhur. Ne tashmë po e përjetojmë. Këto pritet të përkeqësojnë jetesën dhe kushtet klimatike si në Greqi ashtu edhe në mbarë botën.

Kjo verë distopike mund të kthehet në normalitet të ri deri në fund të  shekullit, sipas disa shkencëtarëve. Edhe pse për ta ndryshimi ndodhi brenda natës,  fenomeni, i cili u bë i njohur disa dekada më parë, kishte filluar shumë kohë më parë, raporton abcnews.al

Rritja e temperaturave

Ngrohja  globale filloi në vitet 1830, së bashku me Revolucionin Industrial. Një studim i Universitetit Kombëtar të Australisë thekson se industrializimi i shoqërive ndikoi në temperaturën e Tokës.

Ekipi kërkimor përdori të dhënat e klimës nga 500 vitet e fundit për të përcaktuar saktësisht se kur filloi tendenca aktuale e ngrohjes globale. Që atëherë, ka pasur një rritje graduale të temperaturës për shkak të rritjes së emetimeve të gazrave serrë.

Por çfarë pritet të ndodhë?

Shumica e parashikimeve shkencore  parashikojnë ndryshime të klimës deri në 2050. Ngrohja globale, për shkak të efektit serrë, do të vazhdojë të ndryshojë klimën e Tokës deri atëherë. Meqenëse rritja e temperaturave siguron më shumë energji dhe avull  për masat e gazta, intensiteti i fenomeneve ekstreme meteorologjike do të rritet dhe në të njëjtën kohë do të  bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Nëse temperatura e Tokës rritet me 1.5-2 gradë Celsius, 1.7 miliardë njerëz do të ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme, 420 milionë do të jetojnë në  nxehtësi ekstreme dhe 65 milionë do të jetojnë në nxehtësi ekstreme çdo pesë vite.

Ekspertët e OKB -së kanë dokumentuar pasoja të tjera, të tilla si zhdukja e specieve, mungesa e ujit, zhvendosja e popullsisë dhe kequshqyerja. Në të njëjtën kohë, gjysma e njerëzimit deri në vitin 2050 do të kërcënohet nga lëvizja e mushkonjave që bartin sëmundje të ndryshme. Në vitin 2019, OKB publikoi një raport mbi biodiversitetin, të cilit pak i kushtuan vëmendje.

Në raportin e OKB-së theksohet së një milion lloje të faunës dhe florës priten të zhduken gjatë dekadave të ardhshme. Fermerët grekë po përjetojnë efektet e ndryshimit të klimës me të korrat e tyre që kërcënohen nga breshëri  dhe rritja e temperaturave, raporton abcnews.al

Prodhimi bazë i të korrave tashmë ka rënë me 4% -10% në dhjetë vitet e fundit dhe speciet që konsumojnë sasi të mëdha uji, si misri, mund të bien me 1/5 në 1/3 deri në mesin e shekullit. Zhvendosja e popullsisë është një tjetër fenomen shqetësues, i cili pritet të arrijë kulmin gjatë dekadave të ardhshme.

Sipas studimeve deri në vitin 2050,  do të zhvendosen 143 milion njerëz nga Afrika sub-sahariane, pjesa jugore e Azisë dhe Amerika Latine për shkak të rritjes së nivelit të deteve dhe mungesës së ujit.

Shkencëtarët kanë folur shpesh për diçka që nuk ka më kthim: Ndryshimi i klimës. Një nga arsyet ka të bëjë me zhdukjen e shenjave vitale në Tokë. Një shembull  i tillë është rasti i Amazonës: “Mushkëritë e Tokës”.

Në bazë të të dhënave të disa grupeve ekologjike që kanë studiuar situatën gjatë 10 viteve të fundit, lëshon më shumë dioksid karboni sesa thith. Në veçanti, hulumtimet e fundit tregojnë se zjarret në pyjet e shiut prodhojnë 1.5 miliardë ton dioksid karboni në vit.

Arktiku është një plagë tjetër. Akulli po shkrihet më shpejt nga sa ishte parashikuar dhe shkrirja e akullit gjatë verës në Arktik tani është një fakt.  Ekspertët paralajmërojnë se ky brez do të jetë i fundit që do të shohë Arktikun e mbuluar me akull  gjatë muajve të verës. Ky lajm është konfirmuar nga disa shkencëtarë gjermanë. Përfundimi; Oqeani Arktik po “vdes”..

Situata kritike reflektohet në faktin se edhe sikur të eksitonte një ndryshim rrënjësor në stilin e jetës dhe konsumin, ne përsëri nuk mund të kthejmë dot pas të kaluarën. Sidoqoftë, ne mund të kufizojmë efektet e ndryshimit të klimës në brezat e ardhshëm.

BE -ja, megjithatë, duket e vendosur të ndryshojë  ritmin, duke hyrë në një epokë të re të klimës dhe ekonomisë. Dhe nëse kjo tingëllon e pakuptimtë, merrni parasysh se sa e pabesueshme na është dukur dikur kjo që ka ndodhur tashmë në Arktik, Amazonë, Kanada dhe Siberi.

Tani e keqja ka trokitur në derë, edhe nëse ne pretendojmë të kundërtën.

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al