Zjarret/ MM: Situata me e qetë, 2 vatra kritike, 8 janë nën monitorim

schedule22:48 - 6 Gusht, 2021

schedule 22:48 - 6 Gusht, 2021

Pas gati dy javësh në luftë me flakët, situata e zjarreve në vend sot duket më e qetë. Të paktën këtë bën të ditur Ministria e Mbrojtjes që ka publikuar mbrëmjen e së premtes një raport të gjendjes së vatrave në të gjithë vendin.

Njoftohet se është bërë e mundur shuarja e shumë vatrave agresive në zona të ndryshme të territorit të vendit.

Vetëm ditën e sotme, përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, bëhet e ditur se  janë shuar 15 vatra zjarri, por mbeten ende 10 vatra aktive. 2 prej tyre si Karaburuni dhe Maja e Rrunës janë vatra me intensitet më të lartë.

Në majën e Rrunës, helikopteri ka bërë të mundur uljen e agresivitetit të flakëve dhe nuk rrezikohen banesa. Në Qarkun e Vlorës, Gadishulli i Karaburunit, vatra është mbajtur nën kontroll për të mos lejuar kalimin në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Është mundësuar eliminimi i vatrave në pjesën më të madhe të zonës së prekur dhe momentalisht nuk ka rrezik.

8 vatrat e tjera në: Bashkinë Finiq (Vlorë), në fshatin Vermosh (Shkodër), në fshatrat Thirrë, Domgjonaj, Munellë (Lezhë), në Dropull (Gjirokastër), në fshatin Klysyrë )Tropojë, në fshatin Bardhaj (Dibër) si dhe në Kodër Sharrë (Tiranë) janë nën kontroll dhe do të monitorohen edhe gjatë natës, për të mos lejuar që ndryshimet e kushteve klimatike të ndikojnë në përhapjen e flakëve.

Me ndërhyrjen edhe të 3 helikopterëve të mbërritur nga Holanda e Çekia si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE pritet edhe shuarja përfundimtare e zjarreve. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!