Nga Monica Pinna, euronews
Konflikti midis Izraelit dhe Palestinës rifilloi përsëri në maj të vitit 2021, në Rripin e Gazës. Izraeli kreu 1500 sulme ajrore, tokësore dhe detare për njëmbëdhjetë ditë. Palestinezët sulmuan me rreth 4000 raketa Izraelin. Mbi 250 palestinezë dhe 12 izraelitë u vranë.
Jemeni ka hyrë në vitin e 7 -të të luftës duke shkaktuar nivele katastrofike të urisë. Ndërkohë SHBA, Britania e Madhe, Spanja dhe Kanadaja furnizojnë me armë koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite.
Konflikti izraelito-palestinez dhe lufta në Jemen janë vetëm dy shembuj në mesin e dhjetëra konflikteve aktive që kanë ndodhur në botë.
A po luan Europa një rol në nxitjen e këtyre konflikteve? Nëse po, cili është ai rol?
Industria italiane
Italia është eksportuesi i katërt më i madh i armëve në BE. Industria nuk pranoi të fliste për euronews se kujt ia shesin armët por Francesco Vignarca, anëtar i Rete Pace e Disarmo (Rrjeti i Paqes dhe Çarmatimit), na çoi në një fabrikë që prodhon dhe teston avionë ushtarakë.
Ato ndodhen në Venegono në veri të Italisë dhe janë në pronësi të kompanisë Leonardo dhe avionët ushtarakë të Italisë janë prodhuar pikërisht atje. Nuk na lejohej të filmonim por sidoqoftë, ne pamë një M346 të fluturonte. Është një avion vogël që përdoret për trajnimin e pilotëve, raporton abcnews.al
Francesco tha se këta avionë të veçantë janë përdorur “në një nga konfliktet më të vjetra, por edhe në një nga konfliktet më të vazhdueshme: Lufta Izraelo-Palestineze”. Ata mohuan se këta avionë janë përdorur për të trajnuar pilotët të cilët mund të ndërhyjnë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.
Sipas tij, Italia nuk i ka siguruar Forcave Ajrore Izraelite avionë që mund të përdoren për të trajnuar pilotët që kryejnë sulme. Leonardo është prodhuesi më i madh italian i armëve dhe i 12 -ti në mbarë botën . Qeveria italiane është aksioneri i saj më i madh dhe zotëron 30% të kompanisë.
Francesco tha se “Italia ka eksportuar, vitet e fundit, më shumë se 50% të armëve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut”.
Disa nga mjetet që eksporton janë automjete të blinduara, avionë dhe anije. Arabia Saudite ishte klienti kryesor i Italisë vitin e kaluar pas Egjiptit dhe Katarit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Arabia Saudite është importuesi më i madh i armëve në botë.
Pasi u përfshi në luftën në Jemen, importet e armëve të saj pësuan rritje prej 61% nga 2016 në 2020.
Prodhuesit europianë të armëve
Sidoqoftë, armët italiane nuk janë të vetmet që shiten në Jemen, pasi ka prova të dokumentuara se armët europiane shiten atje. Belgjika, Gjermania, Franca dhe Spanja janë vendet e tjera europiane që kanë lejuar eksportet në Arabinë Saudite.
Të shtypur nga aktivistët kundër luftës, Gjermania, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Greqia, Holanda dhe Italia kanë ndaluar ose kufizuar eksportet e tyre në Riad. Por jo Franca, eksportuesi i parë i armëve i BE-së dhe i treti më i madh në botë.
Amnesty International tha se ata kanë dëshmi se Franca i ka shitur lloje të ndryshme të pajisjeve ushtarake koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite. Në Jemen janë zbuluar artilerie franceze, municione dhe automjete luftarake, raporton abcnews.al
Shitja e Armëve
Pra, a lejohen shitjet e armëve europiane kudo, në çdo kohë?
Jo – Disa traktate ndërkombëtare deklarojnë se lufta dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, në teori, duhet të parandalojnë shitjet e tilla. Kjo është e dokumentuar në Traktatin e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë e Armëve.
Franca, Gjermania, Spanja dhe Italia janë eksportuesit kryesorë në BE-së. Në pesë vitet e fundit, klientët kryesorë të Francës jashtë Europës ishin Egjipti dhe Arabia Saudite, por ajo gjithashtu shiti armë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistan, Izrael, Etiopi dhe Afganistan mes shumë të tjerëve.
Gjermania ka eksportuar armë në Egjipt, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe në vende si Sudani i Jugut dhe Somalia.
Si ndodh eksporti i armëve?
Ekspertët kanë theksuar se hallka e dobët në të gjitha traktatet ndërkombëtare dhe ligjet kombëtare është zbatimi. Eurodeputetja, Hannah Neumann, tha se “ne kemi një qëndrim të përbashkët për eksportet e armëve në BE, por kemi 27 interpretime kombëtare, 27 sisteme eksporti dhe një divergjencë në rritje në eksportet aktuale të shteteve anëtare.”
Shitjet në rritje
Industria e Mbrojtjes konsiderohet një sektor strategjik për qeveritë kombëtare. Pavarësisht nga pandemia, eksportet ndërkombëtare të armëve janë në nivelet e tyre më të larta që nga përfundimi i luftës së ftohtë.
Importet e armëve në Lindjen e Mesme janë rritur edhe më shumë gjatë pesë viteve të fundit, të nxitura kryesisht nga Arabia Saudite, Egjipti dhe Katari. Në jug të Parisit, kompania franceze e Mbrojtjes, ARQUUS, tha se ata përpiqen ta bëjnë botën më të sigurt. Klienti i tyre kryesor është Qeveria Franceze.
Kompania ka 25 000 mjete operative në ushtri. Në mënyrë që të jetë konkurruese në një shkallë ndërkombëtare, kompania duhet të investojë dhe eksportojë. Arquus tha se eksportet e tyre vjetore ndryshojnë nga 20% në 50%.
Pra, kush është përgjegjës për eksportimin e armëve në vendet e shkatërruara nga lufta?
Qeveritë u japin licenca eksporti prodhuesve të armëve dhe priren të përfitojnë nga shitjet pasi ato shpesh kanë aksione në industrinë e armatimit. Francesco Vignarca tha se pjesë të mëdha të industrisë ushtarake të Italisë janë në pronësi të shtetit.
“Gjithmonë ekziston një përpjekje për të favorizuar eksportet me marrëveshje ndërqeveritare. Ato gjithashtu krijojnë mundësinë që këto kompani të mëdha të shesin edhe kur kriteret e ndalojnë diçka të tillë.
Sidoqoftë, kjo nuk është vetëm për Italinë por edhe për rolin e Francës në luftën e Jemenit. Në Spanjë, qeveria është përballur vazhdimisht me parlamentin për eksportin e armëve në Arabinë Saudite. Madridi lëshoi 26 licenca eksporti në Riad vitin e kaluar, një biznes me vlerë 215 milionë euro.
Një arsye tjetër pse vazhdojnë të shiten armë në zonat e konflikteve është për shkak se anijet që mbajnë armë, europiane apo jo, nuk kontrollohen në porte, raporton abcnews.al
Protesta në të gjithë Europën
Sa më shumë të ketë dëshmi të eksportit të armëve, aq më shumë do të ketë protesta në të gjithë Europën. Presioni nga shoqëria civile dhe një sërë veprimesh ligjore arritën të ndalojnë disa licenca eksporti. Në disa raste, itinerari i ashtuquajturave “anije lufte” u ndryshua.
Në Spanjë, protestat kanë detyruar anijet Bahri të shmangin portin e Bilbaos. Por aktivistët thonë se anijet saudite ende po dërgojnë armë në portet jugore të vendit. Në Francë, grupet e të drejtave të njeriut kanë parandaluar anijet Bahri të eksportojnë armë disa herë dhe në Paris ka pasur demonstrata të shumta kundër eksporteve në Jemen.
Në Xhenova, anijet saudite nuk shesin më armë.
‘Një biznes lufte’
Trazirat e fundit izraelito-palestineze kanë shkaktuar konflikte te pacifistët europianë. Në maj, një anije që dyshohet se transportonte armë në Izrael u ndalua në Livorno. Ata refuzuan të merrnin ngarkesën, e para për Europën.
Homologët e tyre lokalë organizuan një takim me aktivistët e të drejtave të njeriut për të marrë masa kundër armëve në porte. Carlo Tombola nga The Weapon Watch tha se “zinxhiri i furnizimit të armëve në vendet më kritike të luftës në botë ishte fshehur nga mungesa e transparencës dhe tani po del në sipërfaqe. Ky biznes po cilësohet si një biznes lufte”.
Alexander Lurz, një nga aktivistët e paqes dhe çarmatimit, tha se ata duan që ligji të “ndalojë të gjitha eksportet jashtë Bashkimit Europian dhe shteteve europiane”.
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al