Ish-efektivi i forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj i dënuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha i është drejtuar Gjykatës së Apelit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe dënimin për vrasje në tejkalim të nevojës për t’u mbrojtur, por jo vrasje me dashje.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e dënoi Hajdarajn me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i ulet në 10 vite. Ndërsa më herët, organi i akuzës kërkoi që ish efektivi të dënohej me 20 vite heqje lirie.
Nevaldo Hajdaraj akuzohet se në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit të vitit të shkuar vrau me armën e shërbimit Klodian Rashën, teksa ky i fundit kishte thyer orën policore. Hajdaraj pretendoi se qëlloi ndaj të riut pasi kishte parë një armë në duart e Rashës.
Por referuar pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, Rasha shfaqej duke vrapuar dhe është qëlluar pas shpine duke gjetur edhe vdekjen. Sipas prokurorisë, Hajdaraj e kishte konstatuar që Rasha nuk kishte armë para se të hapte zjarr drejt tij./abcnews.al/