Kryeministri hungarez Viktor Orban ka dalë në mbrojtje të mikut të tij Nikolla Gruevski, duke kritikuar ashpër Maqedoninë. Ai pretendon se drejtësia në Shkup është përfshirë në lojëra politike sa i përket dënimit të ish-kryeministrit.
Kryeministri Viktor Orban mborjti vendimin e Hungarisë për pranimin e kërkesës për azil të ish-kryeministrit të Maqedonisë, I cili kërkohet nga autoritetet pasi është dënuar me dy vite burg dhe duhet të vuajë dënimin. Shefi i qeverisë së Budapestit e konsideron Nikolla Gruevskin aleat dhe akuzon sistemin e drejtësisë të Shkupit se është përfshirë në lojëra politike. Orban tha se ai dhe Gruevski, që ka dhënë dorëheqjen në vitin 2016 pas një dekade në pushtet, kanë luftuar krah për krah për të ndaluar emigracionin masiv përmes Ballkanit.
“Unë e njoh këtë njeri, ai ishte koleg i imi për shumë kohë”, tha kryeministri hungarez për radion shtetërore. “Do të ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të mbroja kufirin Hungarez pa të. Duhet t’i trajtojmë aleatët në mënyrë të drejtë. Nëse ai drejtohet tek ne, ai pret një proces të drejtës. Ne nuk mund ta vendosim atë sipër ligjit por mund t’i japim një process të drejtë”, shtoi ai.
Ndërkohë, policia maqedonase ka lëshuar urdhër arrest për Gruevskin pasi ai nuk u paraqit në burgun Shutkës për të vuajtur dënimin e tij me 9 nëntor. Orban tha se procedurat ligjore të Maqedonisë kundër Gruevskit janë të motivuar politikisht ndaj ata nuk mund të ndikojnë në autoritetet hungareze. “Luftë dhe lojëra komplekse politike po ndodhin në Maqedoni, dhe sistemi i drejtësisë është pjesë e kësaj. Procedurat e Maqedonisë nuk kanë asnjë ndikim mbi ne. Ne vetëm kujdesemi nëse kërkesa për azil është e ligjshme”, nënvizoi kreu i qeverisë së Budapestit. Ndërkohë, Gruevski u arratis disa javë më parë nga Shkupi dhe kërkoi strehim në Hungari duke kaluar nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Pranimi i kërkesës për azil nga Budapesti shkaktoi kritika të forta nga Maqedonia, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. /abcnews.al