Ndryshimi në stol nuk mjafton, Ballistët: Kryesia plehu i Shkëndijës, kujdes!

schedule20:36 - 2 Gusht, 2021

schedule 20:36 - 2 Gusht, 2021

Shkëndija e Tetovës ndërpreu bashkëpunimin me Ernest Gjokën tre ditë më parë, teksa sot prezantoi Bruno Akrapovic si trajnerin e ri të skuadrës. 53-vjeçari boshnjak ka drejtuar kampionët e Maqedonisë së Veriut edhe në periudhën dhjetor 2015 – tetor 2016.

Ballistët, tifogrupi që mbështet skuadrën shqiptare, kërkuan largimin e trajnerit nga Tirana. Ashtu ndodhi, por ultrasit tetovarë nuk janë të kënaqur me kaq dhe thumbojnë e paralajmërojnë drejtuesit e klubit të zemrës në postimin e bërë në faqen e tyre, ku ndër të tjera shkruajnë:

REAGIM! Ndryshimi i trajnerit në klubin tonë të zemrës është nevojë e domosdoshme e kohës, por detyrimisht jo edhe ndryshimi i vetëm.

Gjendja aktuale e klubit është si pasojë e keqpërdorimit të besimit të pronarit nga ana e kryesisë e cila nuk e ka idenë më të vogël se si udhëhiqet një klub futbolli!  Është koha të reflektoni dhe të minimizohen pasojat e mëtejshme për klubin në saje të fillimit të sezonit të ri garues.

Gjithmonë thuhet se peshku qelbet çdoherë nga koka. Po! Qelben nga koka edhe atë qelbin që të gjithë pa dallim në ju e ashtuquajtur ‘kryesi’.  Kryesi pa drejtor sportiv, kryesi që  e përbuz tifogrupin tonë, publikun tetovar, duke mos qenë aspak transparent.

Tek ju ka vdekur transparenca, ndërsa tek ne ka vdekur durimi! Dhe bëni kujdes kur përdorni terma peshkimi këto ditë, sepse ngjan të kemi hyrë në një stinë të nxehtë gjuetie dhe nuk dihet asnjëherë në ujërat e kujt do të ju zërë rrjeta.

Do të jetë siklet i madh pastaj që të ndahen peshqit në fajtorë dhe të pafajshëm, në varësi të vendit ku kapen.

Shkëndija është dhe do te mbetet simboli dhe krenaria e qytetit, ndërsa ju do të mbeteni në plehun e historisë së klubit!

MOS E NJOLLOSNI EMRIN E Z. LAZIM DESTANIT, MOS E NJOLLOSNI EMRIN E KF SHKËNDIJA! BALLISTËT TETOVË, 02.08.2021“. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!