Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë arritur një draft marrëveshje për mardhëniet pas BREXIT. Në këtë akord sqarohet se si do të funksionojë tregtia mes palëve dhe disa çështje të tjera.
“Theresa May ka përshëndetur projekt-marrëveshjen e BE-së mbi marrëdhëniet pas Brexit dhe e konsideron atë si të drejtë për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”. Kështu njoftoi me një deklaratë të shkurtër zyra e kryeministres britanike. Deklarata politike – duke përshkruar se si do të funksionojë tregtia, siguria dhe çështjet e tjera – është “rënë dakord në parim”, thotë Këshilli Europian. Londra dhe Brukseli tashmë kanë rënë dakord me draftin e kushteve të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE më 29 mars të 2019-s. Kryeministrja May pritet të sqarojë deputetët.
Ajo fillimisht njoftoi kabinetin qeveritar për marrëveshjen e arritur me anë të një video-konferencë, dhe tha se akordi “respekton votën e referendumit”. “Qytetarët Britanikë dëshironin që kjo të ndodhte. Ata duan një marrëveshje të mirë që na vendos ne në rrugën e një të ardhmeje më të mirë. Kjo marrëveshje është brenda kërkesave tona dhe unë jam e përkushtuar ta përmbush atë”, u shpreh May.
Ndërkohë, javën e kaluar, Britania e Madhe dhe BE ranë dakord për një marrëveshje tërheqjeje ligjore me 585 faqe, duke mbuluar “faturën e divorcit” të Britanisë së Madhe prej 45 miliardë eurosh, të drejtat e qytetarëve pas BREXIT dhe çështjen e mprehtë të “kufirit” të Irlandës së Veriut – si të shmanget nevoja për një kufi fizik në ishullin e Irlandës. Ndërsa, deklarata politike është një dokument i veçantë dhe shumë më i shkurtër, duke përcaktuar aspiratat e gjera për llojin e marrëdhënieve që Mbretëria e Bashkuar dhe BE do të kenë pas BREXIT dhe nuk është ligjërisht e detyrueshme. Disa nga formulimet i lejojnë të dy palët të mbajnë opsionet e tyre të hapura./abcnews.al

