Kreu i shërbimit sekret ushtarak rus ka ndërruar jetë. Gjenerali Igor Korobov vdiq për shkak të një sëmundje të rëndë. Ai ishte në listën e sanksioneve amerikane.
Ka vdekur në moshën 62-vjeçare Igor Korobov, kreu i shërbimit sekret ushtarak i Rusisë, thënë ndryshe GRU. Njoftimi është bërë nga ministria ruse e Mbrojtjes që saktëson se gjenerali ndërroi jetë pas “një sëmundje të gjatë dhe të rëndë”. Paraardhësi i tij vdiq në moshën 58-vjeçare, në janar të 2016-s për shkak të një infarkti. Pasuesi nuk është emëruar ende.
Themeluar në vitin 1918, në vitet e fundit GRU është akuzuar se ka hakuar serverat e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës presidenciale të 2016-s. Gjithashtu akuzohet se është përfshirë në sulme kibernetike në të gjithë botën dhe se ka orkestruar helmimin e ish-agjentit Sergej Skripal dhe të bijës Julia në Salisbury të Britanisë në muajin Mars.
Ndërkohë, në Dhjetor të 2016-s, Korobov ishte përfshirë nga SHBA-të në listën e rusëve të sanksionuar për “tentativat e tyre për të minuar demokracinë” amerikane. Ky fakt nuk i lejoi atij që të udhëtonte në Uashington, Shkurtin e kaluar sëbashku me drejtorë të dy agjencive të tjera të spiunazhit rus, për të diskutuar luftën kundër terrorizmit me inteligjencën amerikane./abcnews.al