Vazhdojnë replikat BE-Itali

schedule11:44 - 22 Nëntor, 2018

schedule 11:44 - 22 Nëntor, 2018

Komisioneri europian për çështje ekonomike, Pier Moskoviç, deklaroi se Roma duhet të trajtojë me më respekt çështjen e ligjit për buxhetin dhe jo me ironi, duke iu referuar batutës së zv/kryeministrit Italian Salvini. Por ky i fundit deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Procedura për shkelje të rregullores për Italinë nga ana e Bashkimit Europian është ende në fuqi. Në një intervistë për mediat italiane, komisioneri europian për çështjet ekonomike, Pier Moskoviç, u shpreh se qëndrimi i Komisionit Europian mbështetet në procedurën që parashikohet nga traktatet. Ndërsa në reagim ndaj batutës së zv/kryeministrit italian Salvini, i cili tha se priste letër nga babagjyshi i Vitit të Ri, Moskoviç u shpreh se ai nuk është babagjyshi i Vitit të Ri. Ai theksoi se këto janë çështje që duhen trajtuar me seriozitet dhe respekt reciprok, e jo me ironi. Moskoviç tha se në këtë moment dialogu është më i domosdoshëm se asnjëherë tjetër.

Ndërsa një ditë më parë para parlamentit francez, Moskoviç komentoi ligjin për buxhetin të miratuar nga qeveria italiane duke thënë se ai nuk ëshët një buxhet për popullin, në momentin që shton dhe më shumë borxhin e vendit. Sipas tij, manovra e miratuar në Itali është e pambështetshme dhe do të peshojë tek të varfërit.

Por nga ana e tij zv/kryeministri italian Salvini deklaroi se nuk do të bëhet asnjë hap prapa. Gjatë një interviste televizive ai kërkoi Moskoviç respekt për popullin italian, meqënëse italianët paguajnë. Sipas Salvinit në letrën e dërguar nga Brukseli ku kundërshtohet ligji për buxhetin, shkruhet se nuk mund të ndryshohet ligji i mëparshëm. Por Salvini theksoi se nuk ka ndërment të tërhiqet dhe as të bëjë debat, por nëse do i duhej të zgjidhte mes brukselit dhe italianëve, atëherë zgjedhja do të ishte shumë e lehtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!