Tre persona janë vënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” të kryer në bashkëpunim.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga janë vënë Mondi Verbali, 28 vjeç, Zyber Tusha, 42 vjeç dhe Qerim Tresa, 58 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit Altin Plaku, 35 vjeç dhe Klajdi Tresa, 24 vjeç.
Ndërkohë gjatë kontrolleve në banesat e tre personave të arrestuar janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Tiranë-Informacion-Finalizohet një tjetër operacion policor anti-kanabis.
Operacioni i koduar “Dorëz” i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Sekuestrohen 3 armë gjahu, një automjet, 3 aparate celular dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dorëz”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
M.V., 28 vjeç, Z. T., 42 vjeç dhe Q. T., 58 vjeç. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. P., 35 vjeç dhe K. T., 24 vjeç.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një sipërfaqe të pyllëzuar, në vendin e quajtur “Dorëz”, Pezë e Madhe.
Gjatë kontrolleve në banesat e 3 shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Materialet u referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al/