Nga Fahrettin Altun “Al Jazeera”
Në fillim të këtij muaji, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (CJEU),bëri publiknjë vendim skandaloz, i cili e ka bërë praktikisht të ligjshëm diskrimimin e punëdhënësit ndaj punonjësve myslimanë në vendet e punës në të gjithë Evropën.
Përmes vendimit të datës 15 korrik, gjykata deklaroi se kompanitë në Bashkimin Evropian mund t’i ndalojnë ligjërisht punonjësit e tyre myslimanë të mbajnë shami në kokë në kushte të caktuara. Kjo çështje u paraqit në gjykatën me qendër në Luksemburg nga dy gra myslimane me banim në Gjermani, të cilat u pezulluan nga puna pasi filluan të mbanin hixhabin, një shami që mbahet në kokë nga shumë gra myslimane, të cilat mendojnë se ajo është pjesë e fesë së tyre.
Vendimi jo vetëm që shtoi shqetësimet gjithnjë në rritje mbi sigurinë, liritë dhe të drejtat e myslimanëve evropianë, por gjithashtu zbuloi edhe një herë qasjen hipokrite të BE-së ndaj të drejtave të njeriut, lirive fetare dhe barazisë.
Por për cilindo që i ka kushtuar vëmendje zhytjes graduale të Evropës tek Islamofobia, vendimi i kësaj gjykate nuk ishte i befasishëm. Në fakt, një përpjekje sistematike për të demonizuar, margjinalizuar, madje edhe kriminalizuar myslimanët ka ekzistuar prej vitesh në Evropë.
Islamofobia, dukuri qëu bë më e dukshme në të gjithë botën pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe fillimit të së ashtuquajturës “luftë kundër terrorizmit”, depërtoi gradualisht në politikën evropiane vitet e fundit. Politikanët evropianë në mbarë spektrin politik, nisën të fajësojnë myslimanët për rënien e ekonomisë, për rritjen e papunësisë, për emigrimin ilegal, për të gjithë pakënaqësitë shoqërore dhe për terrorizmin global.
Ndërsa ndjenjat anti-myslimane janë rritur prej kohësh në Evropë, vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, shënoi një pikë kthese të rëndësishme në marrëdhëniet e BE-së me myslimanët. Duke i lejuar kompanitë t’i pengojnë punonjësit e tyre myslimanë të mbajnë shami, gjykata institucionalizoi, legalizoi dhe justifikoi diskriminimin ndaj myslimanëve në vendet e tyre të punës në Evropë.
Gjatë 5 viteve të fundit, numri i sulmeve raciste dhe anti-islamike në Perëndim u rrit me 250 për qind,ndërsa përqindja e atyre që humbën jetën në sulme të tilla u rrit me 70 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, janë dokumentuar mbi 15.000 sulme islamofobike në 5 vendet më të mëdha të Evropës.
Në kontekstin e këtyre shifrave shqetësuese, vendimi i CJEU u dërgoi një mesazh të qartë myslimanëve evropianë:Ju mund të jetoni të sigurt dhe të qetë në Evropë, vetëm nëse do të pranoni të distancoheni nga feja juaj, dhe të braktisni të gjitha simbolet e dukshme të identitetit tuaj fetar.
Nuk ka nevojë të thuhet se lëvizja e kësaj gjykate për të ligjëruar diskriminimin anti-mysliman, rrit jo vetëm kërcënimet me të cilat përballen myslimanët evropianë, por hedh gjithashtu një hije mbi historinë që Evropa i ka treguar prej kohësh botës mbi veten e saj.
Në fakt, është ironike që gjykata e lartë e BE-së, një organizatë që nuk humbet asnjëherë rastin të kritikojë vendet myslimane për shkeljen e pretenduar të të drejtave të njeriut,ka vendosur se një punonjës mund të ndëshkohet dhe të pushohet nga puna, vetëm për shfaqjen e një simboli fetar në vendin e tij të punës.
Është po ashtu ironike që gjykata miratoi një vendim që shënjestron enkas gratë, duke pasur parasysh deklaratat e përsëritura të BE-së mbi angazhimin e saj për të siguruar barazinë gjinore. Me vendimin e këtij muaji të CJEU, Bashkimi Evropian ka përqafuar një qasje më të ashpër mbi liritë fetare, i cili është më i përshtatshëm për lëvizjet ekstreme të së djathtës ekstreme, sesa për një union që është vetëshpallur “kampion i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirisë”.
Si do të kishin reaguar udhëheqësit evropianë nëse gjykata e lartë e një vendi me shumicë myslimane, si për shembull Turqia, do të shpallte një vendim të ngjashëm kundër qytetarëve të saj të krishterë, hebre ose hindu ? Natyrisht, përgjigja është shumë e qartë. Ata do ta kishin kritikuar gjykatën për minimin e lirive fetare dhe të drejtave të njeriut.
Ata do t’u kishin bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të vendosnin sanksione ndaj Turqisë për diskriminimin e një pjese të qytetarëve të saj. Ata do ta kishin quajtur vendimin të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm. Por kur është gjykata e lartë e BE-së ajo që diskriminon myslimanët evropianë, ata duket se nuk kanë shumë gjëra për të thënë.
Ne në Turqi, nuk jemi të befasuar nga hipokrizia që kanë treguar udhëheqësit e Evropës mbi këtë çështje. Gjatë rrugëtimit të saj disadekadësh për t’iu bashkuar BE-së,Turqia u është nënshtruar të gjitha llojeve të standardeve të dyfishta, kryesisht për shkak se është një vend me shumicë myslimane.
Madje disa politikanë evropianë, e kanë pranuar publikisht se pengesa kryesore për anëtarësimin e Turqisë në union është përkatësia fetare e popullsisë së saj. Ndaj ne nuk presim që BE-ja të veprojë moralisht mbi çdo çështje që ka lidhje me myslimanët, në Evropë apo më gjerë. Ndoshta udhëheqësit në Evropë zgjodhën të heshtin ndaj vendimit të gjykatës, pasi e panë atë si një hap drejt krijimit të një “Islami Evropian” – një “degë” e re hipotetike e besimit që i ka rrënjët e saj në vlerat “evropiane”, dhe që gjoja do t’i ndihmonte myslimanët evropianë të asimilohen plotësisht në shoqëritë evropiane.
Në fakt, shumë politikanë evropianë besojnë se duke e institucionalizuar diskriminimin ndaj myslimanëve dhe duke i detyruar ata ta përshtatin sjelljen e tyre për të zbehur frikën dhe paragjykimet e pabazuara nga popullata e gjerë, ata mund t’i japin fund problemeve të rrënjosura shoqërore si ksenofobia, islamofobia dhe racizmi.
Por në realitet, vendosja e detyruar e një “Islami Evropian” më pak të dukshëm dhe më shumë të bindur, përmes politikave diskriminuese, nuk do të arrinte asgjë tjetër përveç privimit të myslimanëve evropianë nga rrënjët kulturore dhe identiteti i tyre. Për më tepër, politika të tilla do t’i hapnin rrugën radikalizimit.
Ne i kemi parë tashmë rezultatet katastrofike të politikave të tilla në mesin e viteve 2010, kur grupime terroriste globale ishin shumë të angazhuar në rekrutimin e evropianëve të rinj dhe me ndikim në radhët e tyre. Këto grupe nuk mundën t’i radikalizonin myslimanët evropianë, që ruajtën lidhjet e tyre me vendlindjet e tyre stërgjyshore, dhe që ndiqnin shërbesat fetare në xhami të lidhura me organizata të huaja të respektuara, të tilla si organizata turke “Diyanet”, pasi ato kishin institucione të besueshme ku mund të merret informacion i saktë në lidhje me fenë Islame.
Ndërkohë, të rinj të panumërt evropianë, të cilët janë t ëprivuar nga një mbështetje e tillë, dhe që janë mbajtur larg organizatave të ligjshme, të cilat mund t’u jepnin atyre udhëzime fetare të besueshme, u radikalizuan duke iu bashkuar grupeve terroriste si ISIS.
Me pak fjalë, përpjekjet e BE-së për të asimiluar me forcë myslimanët, për të zhdukur identitetin e tyre fetar, dhe për t’i penguar ata të angazhohen me kulturën e tyre, dëmtojnë hapur jo vetëm myslimanët evropianë por shoqërinë evropiane në tërësi.
Heshtja shurdhuese e zyrtarëve dhe udhëheqësve të BE-së përballë vendimit anti-mysliman të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, tregon se elitat e Evropës janë ende shumë miope për të parë dëmin që po u shkaktojnë qytetarëve të tyre përmes politikave të tilla.
BE-ja nuk mund ta cilësojë veten një kampione të vërtetë të të drejtave dhe lirive të njeriut në arenën ndërkombëtare, në rast se vazhdon të bëjë një sy qorr ndaj politikave dhe praktikave diskriminuese, të dëmshme dhe haptazi raciste brenda kufijve të saj.
Zyrtarët dhe udhëheqësit e BE-së duhet ta ndalin këtë qasje, dhe të përmbushin urgjentisht përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve myslimanë të Evropës. Dështimi për të vepruar tani, nuk do të sjellë vetëm thellimin e krizës së fshehur të sigurisë në zemër të Evropës për shkak të thellimit të Islamofobisë dhe ksenofobisë. Ajo do të thellojë po ashtu edhe krizën e legjitimitetit me të cilën po përballet aktualisht Bashkimi Evropian.
Shënim: Fahrettin Altun, është drejtor i komunikimit në presidencën turke.
/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al