Kosova dy hapa larg Europianit

schedule12:54 - 21 Nëntor, 2018

schedule 12:54 - 21 Nëntor, 2018

Kosova arrin një triumf të madh futbolli, vetëm pak kohë pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Sukses në Ligën e Europës dhe kalim në plej of-in për në Kampionatin Europian.

Tre vjet më parë festuan, por për vëllezërit përtej kufirit. Çmenduria në Prishtinë ishte për kualifikimin e kombëtares së Shqipërisë në Euro 2016, ndërsa mbrëmjen e fundit suksesi ishte në shtëpi. Shqiptarët e Kosovës, e ndoshta edhe etni të tjera të shtetit të ri europian, kremtuan kalimin e grupit nga ekipi i tyre përfaqësues. Suksesi 4-0 ndaj Azerbajxhanit e kaloi në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, dhe pjesëmarrjen në plej ofin e Europianit 2020, një arritje thuajse e pabesueshme për një ekip të pranuar në futbollin ndërkombëtar vetëm tre vjet më parë.

Festimet në stadiumin “Fadil Vokrri” ishin krejtësisht të ligjshme, sidomos për mënyrën sesi u arrit ky triumf. Kosova, që pësoi thellë nga Kroacia në eleminatorete Botërorit, këtë herë pati 4 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje, ndonëse niveli i kundërshtarëve ishte më i ulët. Jo vetëm kaq, por shënoi më tepër se thuajse çdo ekip tjetër në Ligën e Kombeve. Arbër Zeneli ishte heroi kryesor me tre golat e tij, dhe sulmuesi i Herenvenit në Holandë konfirmoi sezonin shumë të mirë që po zhvillon. Mediat ndërkombëtare e patën jehonën e tyre. Televizioni amerikan lavdëron suksesin dhe Arbër Zenelin, autor të tre golave, që siguroi ngjitjen një kategori më lart, në nivelin C.

“Uashington Posti”: Debutuesja Kosovë siguron vendin në plej ofin e Europianit 2020”.

Mediat ndërkombëtare theksojnë se ky sukses u arrit vetëm 2 vjet pas pranimit të Kosovës në UEFA, ndërsa Arbër Zeneli shënoi një hatrik.

Gazetat serbe nuk i kushtuan shumë rëndësi fitores, por “Telegrafi” theksoi se “futbollistët shëruan plagët e shqiptarëve pas fiaskos së Interpolit. Kosova shkatërroi 4-0 azerët dhe zuri vendin e parë. Një humbje politike, por një fitore futbolli”.

Trajneri Bernar Shaland shpjegon sesi e përgatiti ekipin.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme sepse fituam dhe u kualifikuam për në gjysmëfinale. Jemi rritur shumë si skuadër, kemi më shumë cilësi dhe më shumë përvojë. Natyrisht, që e përgatitëm ndeshjen taktikisht dhe teknikisht, por edhe nga ana psikologjike. U thashë lojtarëve që të jenë si gladiatorë në fushë. Suksesi ishte i gjithë skuadrës, pasi mbrojtësit, mesfushorët e sulmuesit ndihmuan njëri-tjetrin”.

Kosova është vetëm dy hapa nga fitorja e një trofeu, edhe pse të nivelit të katërt europian, ndërsa në gjysmëfinale ka si rivalë të mundshëm, Gjeorgjinë, Bjellorusinë e Maqedoninë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!