Deklarata e Gruevskit, reagon Shkupi: Shmangie e drejtësisë

schedule17:51 - 20 Nëntor, 2018

schedule 17:51 - 20 Nëntor, 2018

Pranimi i kërkesës për azil të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski përbën shmangie të drejtësisë. Kështu ka deklaruar qeveria e Maqedonisë, pas postimit të Gruevskit në profilin e tij në Facebook, ku njoftonte se autoritetet në Budapest kishin pranuar apelin e tij për azil politik. Në reagimin e tij, Shkupi zyrtar deklaron se Gruevski është dënuar me një aktgjykim të formës së prerë, në një proces publik dhe transparent dhe jeta e tij nuk ka qenë kurrë e kërcënuar. “Ndaj Gruevskit nuk ka patur kurrë një persekutim politik dhe as kërcënime për jetën. Ndaj, qëndrimi ynë është se qëllimi i tij i vetëm është t’i shmanget drejtësisë”, thuhet në një komunikatë për shtyp. Qeveria maqedonase nënvizon se ende pret që qeveria hungareze, në mënyrë të pakushtëzuar, të pranojë kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare. “Republika e Maqedonisë është një shtet ligjor në të cilin qeverisin ligjet. Kushdo që është përpjekur të shkelë ligjet dhe kushdo për të cilin është shpallur një vendim i formës së prerë do të mbahet përgjegjës për veprimet e tij”, përfundon reagimi i qeverisë maqedonase. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!