Në përpjekjen e radhës për të mbrojtur marrëveshjen e Breksit, kryeministrja Thereza Mej ka deklaruar se ajo do të vërë nën kontroll emigracionin. Mej ka nënvizuar se, sapo tërheqja nga BE të konkretizohet qeveria e saj do të ngrejë një sistem të ri, që do t’i zgjedhë emigrantët në bazë të aftësivë dhe jo vendit të origjinës.
Kryeministrja britanike Thereza Mej ka intensifikuar përpjekjet e saj për të siguruar mbështetjen e qytetarëve për marrëveshjen e Brexit. Në një konferencë me grupet e biznesit të mbajtur të hënën në Londër, Mej tha se marrëveshja e tërheqjes nga BE është pozitive për Mbretërinë e Bashkuar. Një nga aspektet tek të cilat ajo e vuri theksin ishte emigracioni, që ishte një nga shkaqet kryesore përse britanikët votuan pro divorcit në referendumin e 2016-s. “Emigracioni do të vazhdojë të japë një kontribut pozitiv në jetën tonë, por ndryshimi do të jetë se me të lënë BE-në, ne do të mund të kontrollojmë këdo që vjen këtu”, tha Mej. Ajo u shpreh se nuk do të lejohet më që shtetasit europianë, pavarësisht aftësive apo eksperiencës që mund të kenë, të tejkalojnë radhën dhe të lënë pas inxhinierë nga Australia, apo informaticienë nga India.
“Në vend të një sistemi të bazuar në vendin e origjinës do të kemi një sistem të bazuar tek talenti dhe aftësitë që një person mund të ofrojë”, tha Mej. Shefja e qeverisë britanike shtoi se, ajo personalisht dëshiron një sistem ku qytetarët të kenë besim, që të funksionojë në të mirë të biznesit dhe që të tërheqë talente nga e gjithë bota. “Unë mezi pres të punoj me ju për ta realizuar këtë projekt”, vijoi Mej në takimin me përfaqësuesit e biznesit. Sa i takon ekonomisë, ajo konfirmoi se me BE-në është rënë dakord për një strategji që shmang dëmtimin e bizneseve gjatë periudhës së tranzicionit./abcnews.al

