Gjykata e Lartë ka pezulluar ndërtimin HEC-eve në lumin e Valbonës. Në një vendim të publikuar së fundmi Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e banorëve të 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, për kundërshtimin e projektit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare “Dragobia Energy SHPK.”
Gjykata e Lartë në njoftimin e publikuar të vendimit thekson se ka vendosur “Pranimin e kërkesës së palës paditëse për marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkespadisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”.
Shoqata “TOKA”, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, të përfaqësuar nga zyra e avokatisë KALO & ASSOCIATES, dërgoi kërkesë-padi në Gjykatën Administrative në vitin 2017, ndërsa sot Gjykata e Lartë ka marrë vendimin, duke pezulluar ndërtimin e HEC-eve./abcnews.al/