Rritja e rasteve, epidemiologia: Mund të jetë në qarkullim “Delta”

schedule15:33 - 21 Korrik, 2021

schedule 15:33 - 21 Korrik, 2021

Nga Ajgena Korbi 

Në Shqipëri dhjetë ditët e fundit të infektuarit me Covid-19 janë dyfishuar.  Instituti i Shëndetit Publik  nuk ka marrë një konfirmim nga laboratori i referencës në Gjermani, por epidemiologia Rovena Daja mendon se numri i të prekurve ka ardhur si pasojë e qarkullimit të variantit “Delta”.

“Përderisa në Kosovë, Mal të Zi, Greqi ka raste edhe në Shqipëri ne besojmë se mund të ketë hyrë, por realisht nuk kemi një dokument zyrtar nga përgjigjet e analizave. Nuk na ka ardhur ende. Por fakti që kanë filluar të rriten, tregon që mund të ketë ardhur, por paraqitet me forma të ndryshme,” shprehet ajo.

Rastet e reja janë të moshave të ndryshme, të pa vaksinuar dhe që nuk kanë rënë më parë në kontakt me Sars CoV 2.

“Kemi edhe persona që janë mbi 65 vjeç, të cilët nuk janë ta vaksinuar. Realisht ata duhet të ishin vaksinuar sepse kanë qenë të parët të cilët kanë pasur të drejtën për t’u vaksinuar,” thekson Daja.

Specialistët e Shëndetit Publik presin një tjetër valë të koronavirusit në vend, por ata mendojnë se nuk do të  ketë  të njëjtin intensitet si në fillim të vitit.

Të gjitha vaksinat që po aplikohen  sipas mjekëve mbrojnë ndaj formave të rënda të Covid 19. /abcnews.al